E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Drejtësisë, konkurs për përmbarues privatë



Së shpejti në Ministrinë e Drejtësisë do të zhvillohet konkurrimi për përmbarues privatë. Fakti konfirmohet nga burime zyrtare pranë këtij institucioni, sipas të cilave, janë regjistruar një numër i konsiderueshëm konkurrentësh dhe në javët në vazhdim do të zhvillohet konkursi. Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit kanë bërë publike kushtet për t’u bërë përmbarues privat dhe personat e interesuar kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e këtij shërbimi. Por, jo kushdo mund të përfshihet në këtë konkurrim. Nga dhënia e provimit për përmbarues privat, në bazë të nenit 15 të ligjit, janë parashikuar përjashtime për disa kategori personash dhe konkretisht ata persona, që kanë qenë regjistruar dhe kërkojnë të regjistrohen prapë brenda 3 viteve nga çregjistrimi, me kusht që çregjistrimi të mos jetë motivuar nga marrja e masave disiplinore; dhe ata persona, që iu është pezulluar licenca e ushtrimit të veprimtarisë, për shkak të ushtrimit të detyrave shtetërore/publike, për një periudhë 5-vjeçare.

Ligji

Në hartimin e këtij ligji është marrë në konsideratë përvoja e disa vendeve, që kanë një shërbim përmbarimor të liberalizuar plotësisht ose pjesërisht (p.sh. Estonia, Çekia, Holanda, Anglia, Greqia etj.). Detyra që do të ushtrojnë përmbaruesit privatë, do të konsiderohet si një funksion publik i deleguar, nisur nga rëndësia që ka procedura e ekzekutimit të titujve ekzekutivë. Ministri i Drejtësisë do të jetë autoriteti mbikëqyrës shtetëror, i cili mbikëqyr ushtrimin e funksionit të përmbaruesit privat, nëpërmjet licencimit, nxjerrjes së akteve nënligjore, që kanë të bëjnë me mirëfunksionimin e veprimtarisë së përmbaruesve privatë, organizimin e provimit, ushtrimin e kontrollit dhe fillimin e masave procedurale.

Tarifat

Një kre i rëndësishëm në ligjin për liberalizimin e Shërbimit Përmbarimor është ai i parashikuar për tarifat që do të aplikohen nga përmbaruesit privatë. Në nenin 50 të këtij projektligji, këto tarifa janë të kontrolluara, që do të thotë nuk ekziston një liberalizim i tarifave në një treg kompetitiv, ku çmimet vendosen nga vetë operatorët, por ato do të përcaktohen nga ministri i Drejtësisë dhe Ministria e Financave, pasi merret mendimi i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve dhe janë të detyrueshme për t'u zbatuar nga përmbaruesit privatë. Për fillimin e procedurës së ekzekutimit, pala kreditore përjashtohet nga pagimi i taksave përmbarimore. Kjo, për faktin se përmbaruesi privat është një operator privat dhe si i tillë ai i nënshtrohet zbatimit të ligjit për taksat dhe tatimet. Për disa veprime përmbarimore, neni 51 i projektligjit, të cilat për shkak të natyrës së tyre specifike dhe komplekse paraqesin vështirësi dhe kërkojnë më tepër kohë, është parashikuar që përmbaruesi privat të kërkojë pagimin e një tarife shtesë, e cila në varësi të gjendjes ekonomike të kreditorit dhe marrëveshjes së arritur mes tyre, mund të paguhet sipas rastit me një këst të vetëm ose me disa këste. Masa e kësaj tarifës shtesë dhe llojet e shërbimeve përmbarimore, të tarifuara, përcaktohen me akt normativ të ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Financave, pasi merret mendimi i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve. Kur një ekzekutim rezulton i pasuksesshëm, pa faj të përmbaruesit privat, neni 52 i projektligjit, kur ky ka kryer në rregull të gjitha veprimet procedurale, tarifat e parapaguara nga kreditori janë të pakthyeshme. Në rastet kur pala kreditore ka paguar vetëm tarifën e fillimit të procedurës përmbarimore dhe detyrimi përmbushet në mënyrë vullnetare nga pala debitore, brenda afateve ligjore, dhe në këtë rast, tarifa e fillimit të procedurës është e pakthyeshme. Shërbimi Përmbarimor Privat do të mund t'i ushtrojë funksionet e veta në mënyrë të pavarur, në të gjithë territorin e vendit. Në këtë kuadër nuk do të ketë ndarje të juridiksionit, sipas njësive vendore apo rretheve gjyqësore, gjë që do të thotë se një përmbarues privat në Tiranë mund të ekzekutojë një titull ekzekutiv edhe në një qytet tjetër.

Avantazhet e sistemit të dyfishtë

- Ulja e shpenzimeve buxhetore si dhe ulja e ngarkesës së punës së Shërbimit Përmbarimor Shtetëror;

- Rritja e cilësisë së Shërbimit Përmbarimor, përmes ofrimit të një shërbimi më të motivuar dhe të plotësuar me mjete logjistike, burime financiare dhe njerëzore;

- Futja në treg e operatorëve të rinj, në kushtet e një konkurrence të lirë, të cilët do të merren me ekzekutimin e titujve ekzekutivë;

- Mundësi të reja punësimi për juristë;

- Ulje e fenomeneve korruptive në Shërbimin Përmbarimor Shtetëror

Kushtet për t’u bërë përmbarues privat

a) të jetë shtetas shqiptar;

b) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

c) të ketë arsimin e lartë juridik;

d) të ketë eksperiencë pune 3 vjet si jurist;

e) të ketë kaluar me sukses provimin e kualifikimit si përmbarues gjyqësor privat;

g) të mos të jetë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë.

Kur i hiqet licenca dhe çregjistrohet përmbaruesi gjyqësor privat

a) heq dorë me kërkesën e tij nga ushtrimi i profesionit të përmbaruesit privat;

b) humbet apo i kufizohet zotësia për të vepruar;

c) dënohet penalisht me një vendim të formës së prerë të gjykatës;

d) i nënshtrohet procedurës së falimentimit;

e) ndaj tij jepet masa disiplinore e heqjes së licencës;

f) nuk paraqet kërkesë për rifillimin e aktivitetit, në rast se licenca është pezulluar.

Çfarë i ndalohet të ushtrojë përmbaruesit gjyqësor privat

a) përdorimi i paligjshëm i forcës, ndaj subjekteve fizike, që i nënshtrohen ekzekutimit të detyruar apo pasurisë së tyre;

b) kërcënimi fizik apo presion psikologjik ndaj subjektit, palë në procedurë ekzekutimi;

c) përdorimi i fjalëve të pahijshme, që cenojnë reputacionin apo dinjitetin e subjekteve, që i nënshtrohen ekzekutimit të detyruar;

d) angazhimi në ndonjë praktikë të ndaluar ose të përdorë ndonjë metodë të pandershme në mbledhjen e detyrimeve, në kundërshtim me dispozitat ligjore;

e) çdo veprim tjetër me karakter mashtrues, i cili do të komprometonte rëndë besimin e palëve dhe figurën morale të përmbaruesit gjyqësor privat.

Shkeljet disiplinore

a) shkelja në mënyrë të përsëritur e rregullave ligjore e nënligjore, që lidhen me ushtrimin e veprimtarisë së tij;

b) mospërmbushja me faj e veprimeve përmbarimore, që kanë cenuar të drejtën e palëve në proces ekzekutimi;

c) mosrespektimi i dispozitave të Kodit të Etikës së Përmbaruesit Gjyqësor Privat;

d) shkelja e besimit të palës kontraktuese, nëpërmjet kryerjes së veprimeve korruptive me palën tjetër, për të mos ekzekutuar apo vonuar ekzekutimin e titullit ekzekutiv;

e) konflikti i interesit në një procedurë ekzekutive;

f) mosevidentimi në mënyrë të rregullt i të gjitha akteve dhe veprimeve procedurale të kryera, gjatë veprimtarisë së ekzekutimit;

g) shkelja e kërkesave të këtij ligji për konfidencialitetin, sigurinë dhe mbrojtjen e të dhënave, që merr si rezultat i ushtrimit të veprimtarisë së vet gjatë procedurës së ekzekutimit;

h) refuzimi për të mos lejuar sektorin e inspektimit, të ngritur pranë Ministrisë së Drejtësisë, për të ushtruar kontroll ndaj veprimtarisë procedurale të tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›