Afërdita dhe Xhesika, sot drejt ëndrrës së madhe të “Miss Universe”
Prej pak javësh ato janë vendosur në Brazil për t’u përgatitur për ngjarjen më të madhe të jetës së tyre, në fushën e kompeticioneve. Dy shqiptaret, Xhesika Berberi dhe Afërdita Dreshaj do të konkurrojnë sot, në datë 12 Shtator, në eventin e madh të bukurisë “Miss Universe”. Në këtë kompeticion, që këtë vit realizohet në Brazil, ku fotograf zyrtar i së cilës është fotografi Shqiptar, Fadil Berisha, Xhesika përfaqëson Shqipërinë, ndërsa Afërdita, Kosovën. Të dyja bukuroshet janë shfaqur ditëve të fundit në sete të shumtë fotografik që kanë bërë gjatë këtyre ditëve, ndërsa ne ju sjellim më poshtë, rrëfimet e vetë atyre, si ndihen ato përpara kësaj sfide të madhe të jetës së tyre!
Afërdita: Janë shumë bukuroshe, do jap maksimumin
Afërdita, deri më sot keni sfiluar si modele. Po afron “Miss Universe”, do të konkurroni mes më të bukurave të Universit, si ndiheni?
Jam shumë e emocionuar tani që ditët po afrohen!!! Jemi 84 vajzat më të bukura të universit! Imagjino, unë jam njëra nga ato! Uou, no comment!
Ju pëlqejnë sfidat? Konkurrimet?
Më pëlqejnë, sidomos sikur kjo që është kaq e madhe!
Përfaqësoni Kosovën në këtë kompeticion. ǒdomethënie ka për ju kjo gjë?
Kosova ka marë pjesë dhe përpara, unë jam vajza e 4- ët në rradhë dhe kemi arritur ta marrim çmimin e 3-të me Marigona Dragushën, është një gjë gjigante!!!
Mendon se rezultatet tuaja do të jenë më të larta se të gjithë shqiptarëve që kanë marrë pjesë deri më tani?
Sikur thashë më lartë është e vështirë të arrish, sepse janë të zgjedhura vajzat më të bukura në botë, unë do jap maksimumin tim dhe shpresoj që do t’ia arrij qëllimit!!!
Xhesika: Kam shumë frikë, dua të dal mirë
Xhesika, çfarë emocioni ndjetë kur u kurorëzuat si vajza që do të përqafësojë Shqipërinë në “Miss Universe”?
Ishte një emocion i paprovuar më parë dhe sigurisht ndjeva një lumturi shumë të madhe. Ndjeva ,që më në fund, një ëndërr shumë e madhe e imja po bëhej realitet.
Ishte një ëndërr që kishte kohë që ju e aspironit?
Po është e vërtetë. Unë kam 6 vjet që merrem me modelim dhe sigurisht kam qenë pjesë e sfilatave dhe eventeve të ndryshme, gjëra, të cilat deri më tani kanë qenë të vogla. Dhe më në fund kishte ardhur momenti, që unë të merrja diçka të vërtetë dhe që do të ishte kurorëzimi i punës dhe ëndrrave të mia deri më tani.
Po, kur kam qenë 14 vjeç kam marrë pjesë në “Supermodel Albania 2005”. Isha shumë e vogël atëherë dhe shumë gjëra mbase nuk i kuptoja shumë mirë. Atëherë isha ajo vajza e vogël që nuk dija të ecja mirë me taka, kisha frikë aparatin fotografik, kisha frikë çdo gjë që i përkiste modës. Por duke kaluar vitet, sigurisht që këto frikëra kanë ikur dhe çdo gjë ka ndryshuar dhe ishte momenti i duhur për mua, për këtë hap të jetës sime.
Xhesika, kjo kurrorë ju jep një shanc të madh për të përfaqësuar Shqipërinë në “Miss Universe”. Si do ta përkthenit me fjalë këtë lumturi?
Po në 12 shtator, në Brazil realizohet kompeticioni i “Miss Universe” dhe unë do të përfaqësoj Shqipërinë. E kam ndjekur çdo vit këtë event, për më tepër, kur kanë marrë pjesë edhe vajzat shqiptare, Eralda Hitaj, Matilda Mecini, Hasna Xhukic, Angela Martini, të cilat kanë qenë vërtet të denja dhe kanë përfaqësuar bukurinë shqiptare, në mënyrën më cilësore të mundshëm. Përsa i përket pjesëmarrjes sime, është një miks ndjenjash, është frikë, është krenari dhe është sigurisht përfaqësimi im i Shqipërisë më jep një ndjenjë përgjegjësie. E pres me shumë emocion të them të drejtën dhe nuk e di sesi do të shkoj kjo puna ime atje?! Se çfarë do të ndodh me mua? Sigurisht shpresoj më të mirën, për mua dhe Shqipërinë. Të përfaqësoj sa më denjësisht vendin tim në këtë konkurs është shtysa ime!
I keni parë konkurrentet e këtij viti?
Po, i kam parë dhe mund t’ju them se është një rivalitet i madh dhe një konkurs i fortë. Vajzat janë tepër të bukura.
Cila është arma juaj më e fortë, që do të mundoheni ta nxirrni në pah në atë pasarelë?
Nuk e di, mbase do të jetë portreti dhe mënyra e prezantimit tim. Mendoj se do kem fuqinë që të dal me një potencë mjaft të madhe në atë skenë.
Keni frikë?
Eh… Shumë frikë! (qesh)
Xhesika, dihet që gara është e vështirë në një pjesëmarrje, siç është kjo e “Miss Universe”, por për të qenë realiste, çfarë pretendon të fitosh në këtë konkurs?
Është e vërtetë! Po së pari shpresoj të përfaqësoj Shqipërinë në një mënyrë shumë të mirë dhe pastaj , pse jo, të kthehem me ndonjë kontratë të firmosur dhe më tej të shohim çdo ndodhë!