E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afganët mbështesin praninë e forcave amerikane

Rreth 70 për qind të afganëve mbështesin praninë e forcave amerikane në vendin e tyre, ndërsa 61 për qind e afganëve mbështesin vendimin për shtimin e forcave amerikane dhe ndërkombëtare në vendin e tyre, dëshmoi rezultati i anketës më të re, e cila u publikua sot.

Megjithatë, përkrahja për forcat amerikane dhe të NATO-s është dukshëm më e vogël në pjesët jugore dhe lindore të Afganistanit, ku luftimet janë më të ashpra.

Në gjithë Afganistanin, 10 për qind e afganëve kanë shprehur përkrahjen e tyre për talebanët, por kryengritësit mbështetën nga një numër më i madh i njerëzve në pjesët jugperëndimore të Afganistanit, ku talebanët u mbështetën nga 27 për qind e të anketuarve.

Anketa është bërë nga 11 deri më 23 dhjetor të vitit të kaluar nga BBC, ABC News dhe kanali televiziv gjerman, ARD.

Gati 70 për qind të afganëve ishin të mendimit se vendi i tyre po lëvizë në drejtimin e duhur dhe është kjo një ngritje prej rreth 30 për qind, për dallim nga janari i vitit të kaluar.

61 për qind e afganëve ishin të mendimit se gjeneratat e ardhshme në vendin e tyre do të kenë një jetë më të mirë, një ngritje prej 14 për qind për dallim nga viti i kaluar.

Marrë në përgjithësi, 42 për qind e afganëve për dhunën në vendin e tyre fajësojnë talebanët, një ngritje kjo prej 27 për qind për dallim nga viti i kaluar.

Vetëm shtatë për qind për dhunën fajësojnë forcat amerikane, NATO-n apo qeverinë afgane, një rënie kjo prej 36 për qind për dallim nga viti i kaluar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›