E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guido Westerwelle për vizitë në Jemen

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guid Westerwelle, shkoi sot për vizitë të papritur në Jemen, në momentin kur është shtuar trysnia ndaj zyrtarëve në Sana për të frenuar militantët e Al Qaidës, për të cilët besohet se qëndrojnë prapa sulmit të pasuksesshëm terrorist kundër një aeroplani amerikan.

Westerwelle, ministri i parë nga Europa që viziton Jemenin, që nga momentin kur dega e Al Qaidës në këtë shtet mori përsipër përgjegjësinë për sulmin e dështuar kundër aeroplanit amerikan në ditën e Kërshëndellave, u takua me presidentin e Jemenit, Ali Salehun, si dhe me zyrtarë tjerë të lartë.

Në agjendën e tij ishte edhe fati i pesë shtetasve gjermanë, në mesin e tyre edhe tre fëmijë dhe i një shtetasi britanik, të cilët janë rrëmbyer në Jemen para gjashtë muajve.

Westerwelle theksoi para gazetarëve se Saleh i ka thënë se ai ka njohuri për atë se ku po mbahen pengjet nga Gjermania.

Ai shtoi se ambasada gjermane në Sana po bën çmos që të sigurojë një përfundim pozitiv të pengmarrjes së shtetasve gjermanë.

Javën e kaluar, një zyrtar i lartë i Jemenit theksoi se qeveria ka informata se pesë shtetasit gjermanë dhe shtetasi britanikë janë gjallë dhe se prapa rrëmbimit të tyre me gjasë qëndron Al Qaida.

Westerwelle ka shprehur brengën e tij për shkak të mundësisë së destabilizimit të mëtutjeshëm të Jemenit, gjë që mund të kishte pasoja negative për gjithë rajonin.

Gjatë vizitës së tij në Sana, Westerwelle përcolli porosinë se europianët dhe partnerët tjerë arabë kërkojnë një qeveri stabile në Sana.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›