E Shtunë, 31 Tetor 2026

Republikanët kërkojnë përgjegjësi nga Obama

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, u përball me trysninë e ligjvënësve konservatorë, të cilët insistuan që ai të kërkojë përgjegjësi nga zyrtarët për inteligjencë, për sulmin e dështuar terrorist në ditën e Kërshëndellave, kundër një aeroplani amerikan në Detroit.

“Dikush duhet të jep përgjegjësi. Ne nuk mund t’i kthehemi rutinës së vjetër në Washinton, se të gjithë ne jemi përgjegjës, prandaj askush nuk është përgjegjës”, deklaroi senatori republikan, John McCain.

Obama javën e kaluar kritikoi agjencitë amerikane të inteligjencës, për shkak të dështimeve, të cilat i mundësua një nigeriani 23 vjeçar që të hip në aeroplanin e cili fluturoi nga Amsterdami për në Detroit, për të tentuar më pas të aktivizoi një lëndë shpërthyese, të cilën e kishte fshehur në trup.

Megjithatë, ai theksoi se nuk është i interesuar që t’ia ngarkojë fajin ndonjë personi të caktuar, për atë që e cilësoi si dështim të tërë sistemit.

Por McCain dhe senatori Joe Lieberman, senator i pavarur, theksuan se përgjegjësia duhet të kërkohet edhe nga individët.

“Se kush janë individët përgjegjës, këtë duhet ta përcaktojnë hetimet e qeverisë, të cilat aktualisht janë duke u zhvilluar”, tha Lieberman, i cili së bashku me McCainin qëndroi për vizitë në Jerusalem, me kuadër të vizitës në vatrat e krizës në rajon.

“Nëse janë bërë gabime njerëzore, mendoj se njerëzit që kanë bërë këto gabime duhet të disiplinohen, në mënyrë që gabimet të mos përsëriten kurrë më”, tha Lieberman, i cili është kryesues i Komitetit të senatit për siguri të brendshme.

“Mendoj se disa njerëz duhet të japin përgjegjësi për gabimet, për gabimet njerëzore, të cilat i pranoi edhe presidenti, të cilat i mundësuan sulmuesit nga Nigeria që të hip në aeroplan”, shtoi ai.

Zyrtari tjetër republikan në senatin amerikan, Whip Jon Kyl, theksoi se ai për dështimet fajëson Obamën, e jo njerëzit që punojnë për të.

“Problemi është se ai aktualisht nuk mund të shkarkohet. Prandaj ajo që duhet të bëjë ai, është që të krijojë një ndjenjë të urgjencës tek njerëzit që punojnë për të”, tha Kyl, i cili ka kritikuar edhe angazhimin e Obamës për të ndjekur terroristët para gjykatave amerikane, të cilat ju ofrojnë terroristëve të akuzuar mbrojtje kushtetuese, e jo para sistemit të tribunaleve ushtarake.

“Nuk i fajësoj ata, sa e fajësoj presidentin. Dhe nuk fajësoj njerëzit në CIA apo njerëzit në qendrën për anti-terrorizëm, sa fajësoj kryesuesit e këtyre grupeve, të cilët pasqyrojnë qëndrimin e presidentit, i cili është, ‘Ne mund të trajtojmë këta njerëz si kriminelë të thjeshtë dhe të harrojmë informatat të cilat mund të na ofrojnë ata, për të fituar luftën’”, theksoi Kyl.

Senatorët bënë këto komente, në momentin kur Kongresi po i kthehet punës pas pushimit dimëror, me sulmin e dështuar terrorist dhe përpjekjet për të shtuar sigurinë nëpër aeroporte në krye të agjendës politike.

Lieberman shprehu brengën se dështimet e fundit në fushën e sigurisë janë pjesë e një trendi, i cili është bërë më i dukshëm gjatë muajve të kaluar.

“Vitin e kaluar, kemi pasur dhjetëra raste të njohura të përpjekjeve për të ndërmarrë sulme terroriste brenda territorit të SHBA-së. Sikur edhe në çdo luftë, kur armiku thyen vijat tuaja, ti duhet të rigrupohesh dhe duhet të forcosh mbrojtjen. Ngase e vërteta është se në luftë nuk mund të kesh asnjë synim tjetër, pos 100 për qind sukses. Dhe kjo nënkupton se ne duhet të forcojmë radhët tona”, tha Lieberman.

Komiteti për siguri kombëtare, i kryesuar nga Lieberman, është një nga disa organet e Kongresit, i cili planifikon të organizojë seancë dëgjimore për incidentin, i cili është ndërlidhur me Al Qaidën.

Krahas Komitetit për siguri të brendshme, me këtë incident pritet të merren edhe Komiteti i senatit për inteligjencë dhe Komiteti për shkencë dhe transport.

Obama ka theksuar se agjencitë e inteligjencës kanë injoruar një varg vërejtjesh dhe informatash, me të cilat ka mundur të parandalohet komploti, për të cilin SHBA-ja beson se është përgatitur në Jemen dhe është ekzekutuar nga Umar Abdulmutallab, një nigerian 23 vjeçar, i cili është paditur nën akuzat se ka tentuar të hedh në ajër aeroplanin, në momentin kur ai ishte duke aterruar në aeroportin e Detroitit.

Abdulmutallab hipi në aeroplan në Amsterdam, edhe përkundër faktit se i ati i tij ja kishte tërhequr vërejtjen ambasadës amerikane në Nigeri se është i brengosur për shkak të radikalizmit të qëndrimeve të birit të tij.

Administrata e Obamës javën e kaluar emëroi ish-drejtorin e CIA-s, John McLaughlin, si kryesues të ekipit hetimor, i cili po heton këtë incident, si dhe për hetimin e sulmit të ndërmarrë në bazën Fort Hood në Texas, më 5 nëntor të vitit 2005, kur një mjek mysliman vrau 13 persona dhe plagosi me dhjetëra të tjerë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›