Afganistan, 20 të vdekur nga një sulm kamikaz
Një militant kamikaz shpërtheu sot eksplozivin që mbante në trup ndërkohë që ndodhej në një treg të frekuentuar nga shume njerëz.
Shpërthimi shkaktoi vdekjen e të paktën 20 civilëve dhe plagosjen e mbi 13 të tjerëve në provincën e trazuar jugore Uruzgan. Lajmin e bëjnë të ditur burime qeveritare dhe ushtarake.
Shpërthimi ndodhi para mesdite në një seksion të tregut të tej mbushur me njerëz, ndërkohë që tre prej viktimave ishin fëmijë, deklaroi shefi i policisë së provincës, Juma Gul Himat për Reuters në linjë telefonike.
Presidenti Hamid Karzai e dënoi ashpër sulmin që ndodhi në distriktin Deh Rawud.
Një zëdhënës i forcave të NATO-s në Afganistan dhe një zyrtar i lartë i ushtrisë afgane në Uruzgan, gjeneral Abdul Hameed, deklaruan se bilanci i sulmit ishte të paktën 20 të vdekur.
"Atentatori kishte veshur një jelek të mbushur me lëndë eksplozive. Ai u pikas nga një ndër rojet e zyrës së këmbimit valutor që ndodhet në brendësi të tregut dhe në atë moment ai shpërtheu lëndën eksplozive që mbante në trup dhe shkaktoi vdekjen e të paktën 20 civilëve përfshi edhe rojën që e zbuloi", deklaroi në linjë telefonike Hameed. Ministria e Brendshme deklaroi se shënjestra e atentatorit nuk ishte e qartë.