Dyshohet për 100 mijë të vdekur në Haiti
Banorët e traumatizuar të Haitit e kaluan natën nëpër rrugë dhe parqe, për shkak të frikës nga tronditjet dytësore të tërmetit katastrofal, i cili shkatërroi shumë ndërtesa dhe i cila ka varrosur nën gërmadha një numër të madh të njerëzve.
Dyshohet se me dhjetëra mijëra njerëz kanë vdekur dhe besohet se shumë të tjerë gjenden ende të gjallë nën gërmadhat e ndërtesave, të cilat u rrënuan si pasojë e tërmetit me fuqi prej 7.0 shkallësh të Rihterit, i cili goditi kryeqytetin Port Au Prince, të martën.
Nuk kishte shenja të operacioneve të organizuara për të shpëtuar njerëzit, të cilët kanë mbetur të ngujuar nën gërmadha apo për të larguar kufomat, ndërsa mjekët në Haiti, shtetit më të varfër në hemisferën perëndimore, nuk kanë pajisjet e duhura për të trajtuar të lënduarit.
Të mbijetuarit nuk u kthyen në shtëpitë e tyre të dëmtuara dhe fjetën nën qiell të hapur, ku grupe të femrave këndonin këngë tradicionale dhe luteshin për të vdekurit.
“Ato këndojnë, ngase dëshirojnë që Zoti të bëjë diç. Dëshirojnë që Zoti t’ju ndihmojë. Këtë e dëshirojmë të gjithë”, deklaroi Dermene Duma, një banor i kryeqytetit, i cili ka humbur katër të afërm të tij.
Me dhjetëra mijëra njerëz, të dëshpëruar, vazhduan të sillen nëpër rrugët e Port Au Prince, një ditë pas tërmetit, në shpresë se dikush do t’iu ofrojë asistencë.
Kufomat mund të vëreheshin në të gjitha anët e qytetit: nën gërmadha, në rrugë. Nga gërmadhat mund të dëgjoheshin zërat e njerëzve, të cilët kërkonin ndihmë.
Banorët tentuan të shpëtojnë njerëzit nën gërmadha, duke tentuar të heqin blloqet e betonit vetëm me duar.
I pyetur nga kanali televiziv CNN, se sa njerëz kanë vdekur, presidenti i Haitit, Rene Preval, u përgjigj: “Nuk e di. Kam dëgjuar se deri me tani kanë vdekur 50 mijë”. Preval nuk qartësoi se prej nga i ka marrë këto informata. Disa të tjerë theksuan se numri i të vdekurve mund të kalojë shifrën prej 100 mijë.
Shtetet anembanë botës filluan mobilizimin gjithëpërfshirës, për të ndihmuar Haitin. Ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kouschner, theksoi se aeroplanët francezë do të evakuojnë 60 persona të lënduar, të cilët do të dërgohen në shërim të mëtutjeshëm në Martinique.
OKB-ja, ndërtesa pesëkatëshe e së cilës është shkatërruar në Port Au Prince, theksoi se së paku 16 pjesëtarë të misionit të vet paqeruajtës, që ka gjithsej 9 mijë pjesëtarë, përfshirë këtu edhe 11 ushtarë brazilianë, kanë vdekur si pasojë e tërmetit.
Preval theksoi se ka vdekur edhe shefi i misionit, Hedi Annabi, por OKB-ja nuk ishte në gjendje që të konfirmonte këtë lajm.
“Është kjo gjëja më e keqe që kam parë në jetën time. Shkatërrimi është i madh. Do të nevojiten ditë apo javë për të larguar rrënojat”, tha Bob Poff, drejtor i shërbimit për katastrofa në Haiti.
Epiqendra e tërmetit ka qenë vetëm 15 kilometra larg Port Au Princit. Rreth katër milionë njerëz jetojnë në dhe përreth kryeqytetit, i cili u trondit edhe nga tërmetet dytësore, me fuqi deri në 5.9 shkallë të Rihterit.
Paqeruajtësit e OKB-së në qytet duket se nuk ishin në gjendje t’i bëjnë ballë sfidës me të cilën po përballen.
“Thjesht nuk e dimë se çfarë të bëjmë. Edhe vetë po e shihni dëmin. Nuk kemi arritur të shkojmë në të gjitha rajonet”, tha një paqeruajtës nga Kili.
Presidenti amerikan, Barack Obama, ka zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, si dhe me udhëheqësit e Brazilit, Kanadasë, Meksikës dhe Kilit, në lidhje me përpjekjet për të asistuar Haitin, por ai nuk ka qenë në gjendje që të kontaktojë Prevalin, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Obama premtoi përpjekje të shpejta dhe të koordinuara, për të shpëtuar sa më shumë jetë.
SHBA-ja, Kina dhe shtetet evropiane kanë dërguar ekipe për kërkim dhe shpëtim, ndërsa qeveritë thera ofruan tenda, njësi për pastrimin e ujit, ushqim dhe ekipe të telekomunikacionit.
Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, i cili është i dërguar special i OKB-së në Haiti, theksoi se nevojitën më shumë ekipe për shpëtim dhe pajisje të rënda.
“Kemi nevojë për më shumë helikopterë. Me rëndësi është që njerëzit të depërtojnë në ndërtesat e shembura, me qëllim që të shpëtohen sa më shumë jetë”, tha Clinton.