E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia i shpall luftë alkoolit

Qeveria e Rusisë ka filluar fushatën kundër abuzimit të alkoolit, duke e cilësuar këtë dukuri si një “katastrofë kombëtare”, me qëllim që deri në vitin 2020 të përgjysmojë konsumin e alkoolit dhe që të ndalë prodhimin dhe shitjen ilegale të tij.

Kryeministri rus, Vladimir Putin, ka miratuar planin kombëtarë, i cili parasheh dënim kriminal për prodhimin dhe shitjen ilegale të alkoolit dhe parasheh edhe përpjekjet për të promovuar stilin e shëndoshë të jetës, ka njoftuar qeveria ruse në faqen e saj në internet.

Konsumi i alkoolit në Rusi ka filluar të ngritët në vitet e 70-ta dhe është shtuar edhe më shumë pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, në momentin kur rusët po përballeshin me vështirësi për t’u adoptuar me ndryshimet ekonomike, kanë theksuar ekspertët për shëndet.

Alkoolizmi ka dëmtuar rëndë shëndetin e rusëve, duke nxitur shkallë të lartë të vdekshmërisë, në veçanti në mesin e meshkujve.

“Konsumi vjetor i alkoolit për kokë banori aktualisht arrin në 18 litra, nivel ky dyfish më i lartë se normat e përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, kanë theksuar ekspertët në një studim të tyre.

Statistikat zyrtare në Rusi dëshmojnë se 23 mijë njerëz vdesin në vit si pasojë e helmimit me alkool, ndërsa 75 mijë të tjerë vdesin nga sëmundjet e shkaktuara nga alkooli.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›