E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarkozy sërish shprehet kundër perçes

Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, u shpreh sërish për ndalimin e perçes myslimane në Francë, duke kërkuar një rezolutë të parlamentit kundër perçes, për të cilën theksoi se nuk është e mirëseardhur në një shtet, në të cilin sundon barazia gjinore.

Megjithatë, me gjasë me qëllim që t’i shmanget akuzave se po nxitë ndjenjat anti-myslimane, Sarkozy theksoi se ligji i ri duhet t’i shmanget stigmatizimit të cilitdo seksion të shoqërisë.

Duke kundërshtuar zyrtarët në radhët e partisë së tij konservatore, UMP, të cilët kanë kërkuar ndalimin e plotë të perçes, Sarkozy theksoi se ligjvënësit duhet të presin rezultatet e hetimit parlamentar, para se të veprojnë më tutje.

Sarkozy tha se parlamenti duhet të miratojë një rezolutë, e cila bën të qartë se perçja nuk është në përputhje me vlerat franceze.

Komiteti, i formuar verën e vitit të kaluar për të hetuar këtë çështje, i kryesuar nga deputeti komunist, Andre Gerin, pritet se do të rekomandojë një ndalesë më të moderuar të perçes. Rezultati i hetimeve do të publikohet në fund të këtij muaji, disa javë para zgjedhjeve rajonale në Francë.

“Si president, unë besoj se do të ishte mirë që të presim konsultimet, para se të marrim një vendim përfundimtar”, tha Sarkozy.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›