E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afganistan, Karzai nuk lejon hyrjen e kongresistit Rohrabaher

Zyra e kongresistit të Dana Rohrabaher ka konfirmuar se presidenti afgan Hamid Karzai e ka detyruar atë që ta anulojë një vizitë në Kabul, duke thënë se ai nuk ishte i mirëseardhur në vend.

Rohrabaher, një republikan nga Kalifornia dhe një nga kritikët më me zë të Karzait, i qe bashkuar një delegacioni amerikan, i cili u takua të dielën me Abdul Rashid Dostumin dhe liderët tjerë opozitarë.

Zyra e Rohrabaherit tha se Karzai e ka kërcënuar se do t`ia ndalojë hyrjen në vend të gjithë delegacionit amerikan, nëse në aeroplanin ushtarak gjendej edhe Rohrabaher.

Zyra e Rohrabaherit tha se kërkesa e Karzait është përcjellë nga sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton dhe kongresisti ka qëndruar në Dubai, prej nga është dashur të nisej delegacioni për në Kabul.

Rohrabaher kryeson nënkomitetin e Kongresit për Çështje të Jashtme. Ai ka kërkuar që të kryhen hetime në lidhje me dyshimet për korrupsionin në qeverinë afgane.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›