Afganistan, masakër në bazën e NATO-s
7 të vdekur e afro 100 të plagosur, ky është bilanci dramatik i një sulmi kamikaz ndaj forcave të Natos në Afganistan. Mes viktimave dhe të plagosurve ka shumë fëmijë. Sulmi ka ndodhur paraditen e sotme në Selinë e Përgjithshme të ISAF, misionit ndërkombëtar të Natos në vend. Atentati është realizuar falë një fuoristrade luksoze të mbushur me 500 kg eksplozivë. Si pasojë e shpërthimit është shkatërruar pjesa e jashtme e barrierës mbrojtëse e godinës ushtarake. Ngjarja është marrë përsipër nga talebanët, të cilët thonë se objektivi i këtij sulmi ishin bazat ushtarake dhe ambasada amerikane në kryeqytetin afgan. Zona është izoluar tashmë nga forcat afgane të sigurisë dhe ato amerikane. Sulmi vjen vetëm pak ditë pas zgjedhjeve të 20 gushtit, që cilësohen si test për demokracinë e brishtë në Afganistan.