Afganistan, protestë kundër vrasjes së fëmijëve

Qindra protestues u mblodhën në jug të Afganistanit, duke hedhur parulla anti-amerikane, dhe duke mbajtur në duar trupat e katër fëmijëve, që u vranë nga forcat e NATO-s gjatë një përleshjeje me talebanët.
Mohamed Jan Rasouljar, zëvendës guvernator provincial në Zabul, tha se fëmijët e moshës 8 deri 12 vjeç, kanë vdekur gjatë një përleshjeje me armë mes kryengritësve talebanë dhe forcave të NATO-s e atyre afgane në qarkun e Shahjojit.
Rasouljar tha se disa dëshmitarë thonë se kryengritësit, dhe jo forcat e huaja, janë përgjegjës për vrasjet.
NATO thotë se është duke hetuar incidentin.
Misioni i udhëhequr nga SHBA-të është fajësuar për një numër viktimash civile në Afganistan, duke përfshirë një incident në muajin mars, kur ushtari amerikan, Robert Bejls vrau 17 persona, përfshirë nëntë fëmijë.