Afganistan, rrëzohet helikopteri turk, 10 të vrarë

Të paktën 10 persona janë vrarë pas rrëzimit të një helikopteri ushtarak turk, afër kryeqytetit Kabul në Afganistan.
Sipas autoriteteve afgane të paktën 8 prej viktimave janë ushtrarë turq ndërsa 2 prej tyre janë civilë të cilët kanë gjetur vdekjen, kur helikopteri ra në një shtëpi në Bagram afër Kabulit.
Nuk është i qartë shkaku i përplasjes së helikopterit, por zyrtarët kanë thënë se shkak mund të jetë një defekt teknik.
Turqia ka më tepër se 1800 ushtarë që shërbejnë në Afganistan, në kuadër të forcës ndërkombëtare, që udhëhiqet nga NATO-ja.