Afide Kuka, kandidatja e tretë grua e VV-së për kryetare komune

Lëvizja Vetëvendosje që merr pjesë për herë të parë në zgjedhje lokale, deri tash ka kandidaur tri gra për kryetare komunash. Pas Ajnishahe Shala-Halimit në Skenderaj dhe Arbërie Nagavcit në Gjakovë, Afide Kuka në Kaçanik është kandidatja e tretë grua Lëvizjes Vetëvendosje! që do të garojë për kryetare të komunës. Kuka do të garojë për kryetare të Kaçanikut.
“Unë besoj shumë se njerëzit e këtij vendi e duan ndryshimin, se vetë komunës i duhet një ndryshim pozitiv. I duhet një energji dhe forcë. I duhet një qeverisje adekuate që di, mundet dhe guxon t’i bëj realitet ndryshimet.”, tha Kuka.
Ajo ka shtuar se këtë kandidim nuk e merr si privilegj, as si thjeshtë një mundësi për t’u ulur në karrigen e kryetares së komunës, por si një përgjegjësi të madhe dhe të denjë përballë të gjithë qytetarëve të komunës së Kaçanikut.
“Ne angazhohemi që ky shtet zhvillimor të jetë edhe shtet social, pra të jetë edhe shtet universal edhe shtet solidar. Universal, sepse të gjithë paguajnë për të mirën e përgjithshme, dhe solidar sepse ata që kanë të ardhura më të larta paguajnë më shumë për të mirën e përgjithshme”, ka thënë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti i cili ishte i pranishëm në këtë ngjarje. Sipas tij, kjo alternativë, me angazhimin e Afide Kukës si dhe aktivistëve të tjerë nga kjo komunë, do të përkthehet në alternativë qeverisëse lokale për Kaçanikun./Indeksonline/