E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afrika e Jugut barazon me Meksikën

Ndeshja e parë e Grupit A, dhe në përgjithësi e Kampionatit Botëror, që është zhvilluar të premten ndërmjet nikoqirit të këtij evenimenti, Afrikës së Jugut dhe Meksikës ka përfunduar me rezultat të barabartë, 1:1.

Në fakt, kombëtarja meksikane dominoi plotësisht gjatë gjithë pjesës së parë në posedim të topit, duke u përpjekur të kaloj në avantazh, por assesi nuk e arrinte synimin përballë mbrojtjes afrikane që ishte në nivel të detyrës. Megjithatë, ekipi i udhëhequr nga Javier Aguirre ia doli të shënojë një gol në minutën e 38-të nëpërmjet Velas nga një pozitë jashtë-loje, me ç’rast, fatmirësisht për Afrikën jugore, ky gol u anulua nga gjyqtari i takimit.

Ndërsa, në pjesën e dytë nikoqiri i këtij Botërori ia doli t’i barazoj forcat në teren, dhe kështu, Afrika e Jugut kaloi e para në epërsi prej 1:0, me golin e bukur që e shënoi Siphiwe Tshabalala në minutën e 55-të të ndeshjes.

Më pas, respektivisht në minutën e 66 dhe 70, vendasit i patën edhe dy raste ideale për ta shtuar epërsinë, por që nuk i shfrytëzoi Modise.

Mirëpo, Meksika nuk u dorëzua për asnjë çast duke e kërkuar golin e barazimit. Këtë synim meksikanët e arritën në minutën e 79-të, kur Rafael Marquez shënoi gol dhe i barazoi shifrat në 1:1.

Madje, Meksika ka mundur t’i fitojë pikët e plota të këtij takimi, por nuk pati fat, pasi gjuajtja e Velas në minutën e fundit shkoi drejt në shtyllë, dhe kështu ndeshja u përmbyll me rezultat të barabartë, 1:1.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›