Afrika lakuriqe e fëmijërisë
"Çdo qenie njerëzore vjen nga një baba dhe një nënë. Ndodh dhe të mos i njohim, të mos i duam, të dyshojmë për ta. Por ata janë aty, me fytyrën e tyre, qëndrimet, veprimet dhe manitë, iluzionet dhe shpresat, me formën e duarve dhe të gishtave të këmbës, me ngjyrën e syve dhe të flokëve, me ngjyrën e të folurit, mendimet, dhe me gjasë, me moshën e vdekjes së tyre, e tërë kjo ka kaluar te ne". Ky është një rrëfim intim, një dedikim që shkrimtari francez Le Clezio ia ka kushtuar prindërve. Fituesi i "Nobelit" e ka vendosur jo pa qëllim në faqet e para të librit "Afrikani". Në prologun e rrëfimit të ditëve të tij të fëmijërisë. Teksa përshkruan rrugën e gjatë, e futur ndoshta edhe përdhunshëm në memorien e një fëmije 8-vjeçar, apo e strukur thjesht si një pamje vizive e pashpjegueshme nga naiviteti i kësaj moshe, Le Clezio të fton në një udhëtim. Një udhëtim të pazakonshëm. Në kontinentin ku emocioni nuk ka fjalë, ku individin nuk e dallon një emër, ku jeta i shpërfill rregullat e shkruara e ku trupi, i prekshëm në të gjithë lakuriqësinë e tij, nuk është vetëm një histori e kopshtit të Evës dhe Adamit. Ai, Le Clezio, një fëmijë që bashkë me gjyshen udhëton drejt Edenit të egër, i takon të zbulojë krijesa që edhe pa frikë mund t‘i quaje mitike. Por ai përfshihet mes tyre. Teksa Le Clezio shkrimtar, me një stil që të përfshin pakuptueshëm në ritmin e tregimit të tij, ke kuptuar se fytyra njerëzore, ajo që aktorët e "shpërdorojnë" gjithë jetës për të thënë një të pathënë, për të bërë të besueshme një të gënjeshtërt, atje në Afrikën e largët, të nxehtë nuk ka asnjë vlerë. Ajo është thjesht e zezë. Mes tyre ai kërkon të atin. Kërkon një përqafim nga njeriu që e kishte ngjizur, por që tashmë ishte aq larg tij. Një njeri që më shumë fëmija mësoi ta pranonte se sa ta donte. Një baba i vetmuar, i cili e ftoi të jetonte në kasollen e vogël, të zbrazur ku dallon veçse një kryq, ku për shtretër përdoret një rrjetë e lidhur në të dyja muret e ku dushi është thjesht një gjë e sajuar. Ai udhëtoi drejt këtij kontinenti, e zbuloi deri në lakuriqësinë e tij, dhe ndryshe nga i ati, ndoshta edhe e deshi. Ndërsa doktori që kishte vendosur ta hidhte tej luksin, kërkonte të rriste një fëmijë në vendin që donte, në kontakt me natyrën, me trupat. Lufta, regjimet koloniale, korrupsioni dhe së fundmi mikrobet po e zhduknin këtë kontinent "kaq të ri e kaq të keqtrajtuar". Së jashtmi ndoshta duket çuditshëm, por Le Clezio i dha zë kësaj toke të harruar. Zë që e çoi edhe drejt "Nobelit". Ky kontinent ia trazoi fëmijërinë e nuk do t‘i ndahej gjatë gjithë jetës. "Për një kohë të gjatë kam ëndërruar se nëna ime ishte zezake. Sajova një histori, një të shkuar, pas kthimit tim nga Afrika, për t‘i ikur realitetit në këtë vend, në këtë qytet ku nuk njihja askënd, ku isha bërë një i huaj. Më pas, kur im atë, në moshën e pensionit, erdhi të jetonte me ne në Francë, kam zbuluar se Afrikani ishte ai. E kam pasur të vështirë ta pranoj. Më është dashur të rifilloj, të rikthehem prapa, të përpiqem të kuptoj. Dhe në kujtim të kësaj, kam shkruar këtë libër të vogël". Kështu e mbyll ai citimin. Në kujtim të një vendi që nuk është më ai i fëmijërisë së tij. I një vendi ku vdekja rri mbi krye dhe njeriu është "armiqësuar" me natyrën.