Afrikë e Jugut, eksod i emigrantëve, pas shpërthimit të dhunës
Dhuna kundër të huajve në Afrikën e Jugut është përhapur së fundmi edhe në Kejp Taun, ku janë sulmuar dhe vjedhur një numër i madh dyqanesh. Ndërkohë, si pasojë e dhunës, me dhjetëra e mijëra emigrantë të huaj po largohen nga Afrika e Jugut. Sulmet shpërthyen pas një takimi të thirrur për të frenuar dhunën kundër të huajve, në periferinë Dunoon. "Grupet brenda turmës filluan të vidhnin dyqanet nën pronësinë e Zimbabvesë dhe të të huajve të tjerë", ka thënë zëdhënësi i policisë, Billi Xhons. Zyrtarët pritet tani të takohen dhe të diskutojnë shkaqet e kësaj vale dhune, që ka goditur edhe sektorin më të rëndësishëm në Afrikën e Jugut, atë të minierave. Më shumë se 40 persona kanë vdekur dhe rreth 15 mijë të tjerë kanë mbetur të pastrehë pas akteve të para të dhunës në qytetin e Johanesburgut, rreth dy javë më parë. Druhet tani se zemërimi do të ketë pasoja afatgjata në vend.