E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, rregulla më të ashpra për emigrantët

Ambasadorët e Bashkimit Evropian ranë dakord mbi rregulla të reja, të përbashkëta, për të luftuar emigracionin, duke bërë të mundur edhe arrestimin e emigrantëve të paligjshëm deri në 18 muaj. Rregullat, gjithsesi, nuk do të mbulojnë azil-kërkuesit, por të gjithë ata që shkelin afatet e vizave të tyre. Do t‘u takojë qeverive të vendeve anëtare të vendosin nëse do t‘i dëbojnë emigrantët apo do t‘i pajisin ata me dokumente të rregullta. Por, në pjesën më të madhe të rasteve, ata do të kenë përpara dy opsione, të kthehen në shtëpi vullnetarisht apo të përballen me deportimin. Ata që refuzojnë të kthehen vullnetarisht, mund të detyrohen me forcë ta bëjnë këtë dhe të ndalohen të shkelin në territor evropian për pesë vite. Për më tepër, disa individë mund edhe të burgosen deri në 18 muaj, në disa rrethana, një kohë limit që e kapërcen atë të shumicës së shteteve të BE-së. Plani i Bashkimit Evropian është kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut, të shqetësuara se disa prej masave vijnë në shkelje të të drejtave themelore. "Burgimi deri në 18 muaj i njerëzve që nuk kanë kryer asnjë krim, është i ekzagjeruar. Ligji ndërkombëtar nënvizon qartazi se burgosja me qëllim krimin e emigrantëve të parregullt në shtëpitë e tyre, duhet të jetë sa më e shkurtër që të jetë e mundur", thonë "Amnesty International" dhe Këshilli Evropian për refugjatët dhe azilantët, në një deklaratë të përbashkët. "Nëse ky tekst kompromisi miratohet, atëherë do të burgoseshin deri në 18 muaj edhe familjet me fëmijë apo minorenët e pashoqëruar dhe në disa rrethana ata do të vendoseshin në burgje ordinere", vazhdon deklarata. Sipas drejtuesve të tyre, nevojitet presion për kthimin në shtëpi të emigrantëve të paligjshëm, por kjo nuk mund të bëhet me çfarëdolloj çmimi. Rregullat tani duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian dhe nga ministrat e bllokut, në harkun kohor të dy javëve. Por, gjithsesi, miratimi i marrëveshjes në Parlament do të paraprihej nga bisedime të reja, të vështira. Sipas kompromisit të arritur më herët mes parlamentarëve evropianë, emigrantët e paligjshëm do të kishin të drejtë të përfitonin ndihmë ligjore, në të njëjtën masë si edhe azilkërkuesit. Por, versioni i rishikuar i rregullave thotë se do t‘u takojë vendeve anëtare vendimi nëse do t‘u jepet atyre e drejta për avokat apo jo. Sipas përllogaritjeve të Komisionit Evropian, aktualisht rreth 8 milionë emigrantë të paligjshëm jetojnë në BE. Debati mbi emigrantët është ndezur veçanërisht shumë këto kohët e fundit, pas një serie masash shtrënguese të marra nga qeveria italiane. Kjo e fundit e ka përcaktuar emigracionin ilegal krim dhe si të tillë, të dënueshëm me ligj nga gjashtë muaj deri në katër vjet. Qeveritë spanjolle dhe rumune kanë protestuar kundër kësaj nisme të qeverisë italiane, e madje kanë akuzuar Romën për ksenofobi. Po ashtu, Rumania ka deklaruar se do të bllokojë edhe marrëveshjen e re, për të cilën kanë rënë dakord ambasadorët e Bashkimit Evropian.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›