E Shtunë, 31 Tetor 2026

Birmani, Junta ushtarake u thotë "po" ndihmave të huaja

Liderët e Birmanisë kanë pranuar më në fund të lejojnë të gjithë punonjësit e huaj të ndihmave të shkojnë në zonat e goditura nga cikloni. Lajmi i mirë është dhënë nga shefi i OKB-së, Ban Ki Moon, i cili theksoi se kjo ishte një arritje e madhe, pas bisedimeve në kryeqytetin e Birmanisë, Naypyidav, me gjeneralin Than Shve. Por, korrespondentët thonë se Birmania ka një rekord premtimesh të pambajtura, dhënë Kombeve të Bashkuara. Kushtet, sipas të cilave punëtorët dhe ndihmat do të lejohen, ende janë të paqarta. Rreth 78 mijë njerëz vdiqën dhe 56 mijë të tjerë janë ende të zhdukur që pas ciklonit të 2 majit. Sekretari Ban Ki Moon ka thënë ndërkohë se Birmania do të lejojë shpërndarjen e ndihmave nëpërmjet anijeve civile dhe barkave më të vogla. Por, fjalët e tij, lanë të kuptohej se anijet ushtarake amerikane, britanike apo franceze, që po presin në afërsi të brigjeve me ndihma të ndryshme, nuk do të lejohen të hyjnë në porte. Liderët ushtarakë të Birmanisë kishin refuzuar më herët të lejonin një operacion të gjerë humanitar të punonjësve të huaj të ndihmave. Ata thanë se faza e shpëtimit dhe shpërndarjes së ndihmave kishte përfunduar dhe se tani, qeveria po fokusohej te rikonstruktimi. Duke folur para gazetarëve, pas takimit të tij me gjeneralin Than, Ban Ki Moon, tha se ai ishte inkurajuar nga bisedimet me lidershipin birmanez dhe se ishte arritur një marrëveshje. Para vizitës së sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, gjenerali Than nuk u ishte përgjigjur letrave të tij dhe as telefonatave, që pasuan katastrofën. Por, Ban Ki Moon tha se ai ishte i kënaqur me takimin. "Unë pata një takim shumë të mirë me gjeneralin dhe ramë dakord për hyrjen e punonjësve të ndihmave, pavarësisht nacionalitetit të tyre", tha ai, duke nënvizuar gjithsesi se tani gjëja më thelbësore ishte implementimi. Ban Ki Moon theksoi se duhej bërë më shumë dhe paralajmëroi se gjithçka që do të ndodhë në vazhdim do të ndiqet nga afër. "Kam ardhur këtu që t‘i jap njerëzve në Birmani një mesazh shprese, bota i ka sytë nga ju dhe bota është me ju", tha ai. Korrespondentët thonë se një nga prioritetet e para për ekspertët e huaj ishte krijimi i një panorame më të qartë të nevojave në terren. Por, nuk është ende e qartë nëse ata do të kenë akses në zonat më të prekura nga cikloni. Nuk është gjithashtu e qartë as nëse gjenerali Than ka rënë dakord të japë viza për punëtorët e huaj të ndihmave apo t‘i lejojë ata të hyjnë në deltën e Irravadit për të shpërndarë ndihma. Oferta gjithashtu nuk specifikon nëse bëhet fjalë për punonjës ndihmash civilë apo ushtarakë. Birmania ka refuzuar deri më tani hyrjen e personelit të huaj ushtarak dhe ka kërkuar për helikopterë nga vende të ndryshme, kryesisht nga Afrika, duke refuzuar helikopterët amerikanë që po qëndrojnë fare pranë brigjeve të saj. Agjencitë e huaja të ndihmave e kanë pritur ndërkohë lajmin me maturi. "Po përpiqemi të njihemi me detajet e kësaj marrëveshjeje", kanë thënë drejtuesit e tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›