Afrohen ngadalë
Ramush Haradinaj ka shkelur të premten në zyrat e rivalit të moçëm politik, ku i ka ofruar bashkëpunim të plotë Kryeministrit Hashim Thaçi për dialogun me Serbinë, reformën zgjedhore dhe agjendën europiane.
Për dallim prej deklaratave nëpër media, Haradinaj ka thënë se me liderin e PDK’së nuk ka folur për marrjen e postit të Kryeministrit. Për këtë temë, ai ka thënë se do të flitet më vonë në takimet tjera.
Haradinaj, i cili ka qenë kritikuesi më i madh i qeverisjes së PDK’së, prej se është kthyer në Kosovë si i pafajshëm nga Haga, nuk ka folur asnjë fjalë të keqe për koalicionin aktual.
Krejt çka ka thënë deri më tash është se Kosova ka sfida.
Edhe në takimin me Thaçin, Lideri i AAK ka thënë se janë marrë vesh për të folur për tejkalimin e problemeve me të cilat përballet Kosova.
Por, kur është pyetur se a ka pasur guxim t’ia kërkojë Thaçit postin e Kryeministrit, Haradinaj ka thënë se këtë temë nuk e ka trajtuar me liderin e PDK’së.
“Kam thënë në media deri tash se ofrohem për të marrë përgjegjësi, edhe përgjegjësi të para në qeverisje. Gjithashtu marrja e përgjegjësive është një proces. Ne sot e kemi filluar me disa tema, në të ardhmen mund të vazhdojmë me tema tjera. Kjo është e vërteta. Nuk e kemi trajtu temën për të cilën po flasim”, ka thënë Haradinaj.
Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se bashkëpunimi me AAK’në do të vazhdojë edhe në të ardhmen për të mirën e shtetit.
Por, as Thaçi nuk ka folur asnjë fjalë për koalicionin dhe mundësinë që Haradinaj të marrë postin e Kryeministrit.
Krejt çka ka folur Kryeministri në selinë e PDK’së është përfshirja e AAK’së në çështjet shtetërore.
“Jemi zotuar që të punojmë ngushtë bashkërisht për reformën elektorale, pra për zgjedhjet e ardhshme ... lokale e të përgjithshme, që kemi një marrëveshje të përbashkët në mes të liderëve politikë dhe Aleanca është me të gjithë fuqinë e vet pjesë e këtij debati”, ka thënë Thaçi.
Përkrahjen e AAK’së, Thaçi e ka interpretuar si ndihmë për Shtetin.
Edhe Haradinaj ka premtuar se partia e tij do të vazhdojë rrugën e nisur nga Nënkryetari i AAK’së, Blerim Shala, i emëruar bashkërendues i dialogut me Serbinë.
“Mua më vjen mirë që edhe deri tash roli i Aleancës nuk ka munguar. Z. Shala me kolegë kanë marrë përgjegjësi dhe kanë qenë aktivë në punë. Me ardhjen time i premtova kryeministrit se e keni edhe një koleg në Kosovë dhe unë do t’u bashkohem punëve që kanë ndodh deri tash dhe që do të vazhdojnë”, ka thënë ai.
Haradinaj dhe Thaçi i kanë bërë njëri-tjetrit nga një dhuratë. Lideri i PDK’së i ka dhënë Haradinajt librin e pavarësisë, ndërsa Haradinaj i ka dhënë Kryeministrit një libër, në të cilën janë të pasqyruara veshjet kombëtare.
Lideri i AAK’së është kthyer në Kosovë më 29 nëntor, ndërsa Qeveria kishte organizuar pritje shtetërore për rikthimin e ish-Komandantit të UCK’së në Kosovë.
Haradinaj ka vazhduar ta falënderojë Kryeministrin për pritjen, ndërsa ka thënë se është i nderuar që po viziton PDK’në dhe liderin e saj.
Gjatë ditës, Haradinaj ka vizituar edhe Kryetarin e LDK’së, Isa Mustafa. Pas takimit, Mustafa dhe Haradinaj kanë dhënë nga një deklaratë, por nuk kanë pranuar pyetjet e gazetarëve.
Lideri i LDK’së i ka uruar Haradinajt rikthimin në Kosovë dhe ka konfirmuar se do të bashkëpunojnë për temat që kanë të bëjnë me interesin e përbashkët.
“Biseduam po ashtu për çështjet aktuale, të cilat e rëndojnë situatën në Kosovë, qeverisjes në Kosovë, reformat të cilat ne duhet t’i zhvillojmë, të integrimeve europiane që do të punojmë bashkërisht në çështje tjera zhvillimore”, ka thënë Kryetari i LDK’së.
Në anën tjetër, Haradinaj ka rikujtuar kohën kur ka bashkëqeverisur me LDK’në dhe ka thënë se ajo kohë mund të shërbejë si përvojë e mirë për të punuar për të mirën e qytetarëve.
“E thash në takim, ne kemi një shkallë të besimit të ndërsjellë të zhvilluar gjatë periudhës së kaluar deri në një shkallë të qeverisjes së përbashkët. Pra, kemi shumë përvoja të bashkëpunimit, edhe shpresoj se ato përvoja, ai besim do të na ndihmojë në rrugën tonë të mëtejme me i ndihmu qytetarët e vendit.
As Mustafa as Haradinaj nuk kanë folur për mundësinë e ndonjë koalicioni parazgjedhor, ndonëse kohë më parë LDK ka iniciuar një nismë për t’i bashkuar partitë e djathta.
Por, tani Partia e Ramush Haradinajt ka shfaqur ambicie për të bashkëqeverisur edhe me PDK’në, edhe pse prej vitit 2004 Haradinaj dhe Thaçi i patën ftohur raportet. Në atë kohë Haradinaj ishte bërë Kryeministër në bashkëqeverisje me LDK’në.
Akuzat më të rënda mes PDK’së dhe AAK’së ndodhën në vitin 2009. Haradinaj kishte bërë akuza për krim, korrupsion, dëmtim të shtetit nga PDK’ja.
Përgjigja e PDK’së për Liderin e AAK’së ka qenë se Haradinaj është i përfshirë në reketimin e bizneseve, në haraç, në krim të organizuar me kriminelët në Veri. Madje, zyrtarët e PDK’së kishin thënë se Haradinaj ka pasuri të madhe në Prishtinë, Prizren, Tiranë, Durrës, Brezovicë, Monte Carlo dhe në Dubai.