E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Agalliu paraqet amendamentin: Gjashtëfishim i indeksimit për pensionistët në buxhetin 2025

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Deputeti i opozitës, Arbi Agalliu tha se, “përmes amendamentit të propozuar për buxhetin e vitit 2025, kërkojmë gjashtëfishim të indeksimit për pensionistët dhe rritje me 2.5 herë të fondeve për bonusin e fundvitit për këtë kategori”.

Duke marrë fjalën në seancën plenare të Kuvendit, gjatë diskutimit nen për nen të buxhetit për vitin që vjen, ai tha se, “pensionistët janë shtresa që i ka dhënë kontribut këtij vendi dhe këto dy muajt e fundit përdoret si mish për top”.

“Për mbështetjen e  tyre, kërkohet një pakt kombëtar që shteti t’i ofrojë siguri kësaj shtrese që përballet me abuzimet e tregut dhe çmimet në rritje”, theksoi Agalliu.

Ai tha se, “sot në vendin tonë çmimet janë rritur mbi 20% ndërsa në vendet e BE-së ushqimet tatohen shumë pak. Harroni se pensionistë nuk abuzojnë ndaj detyrimeve me shtetin dhe është përgjegjësi e qeverisë dhe klasës politike për t’i dhënë atë që meritojnë. Kemi propozuar indeksim 6 herë më shumë nga sa është parashikuar pasi çmimet e shportës janë rritur  mbi 10-15% dhe jo 3.2%”.

Agalliu vuri në dukje se, qeveria ia faturon dështimin me skemën e pensioneve informalitetit të biznesit, duke harruar që është fajtore vetë për barrën e rëndë fiskale që i ka adresuar sipërmarrjes, politikat e shpopullimit që kanë larguar mbi 500 mijë shqiptarë dhe kanë ulur masën e kontributeve duke bërë që skema e pensioneve të dështoi.

Skema e pensioneve ka dështuar deklaroi ai, teksa kërkoi miratimin e amendamentit për gjashtëfishim të indeksimit për pensionistët dhe 2.5 herë më shumë të bonusit të fundvitit. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›