E Diel, 1 Nëntor 2026

Agani s’e mban fjalën për Kardiokirurgjin

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani assesi nuk po ia del të mbajë fjalën. Ai dy herë ka premtuar data për hapjen e Klinikës së Kardiokirurgjisë, por në asnjërin rast kjo klinikë nuk është hapur. Edhe disa ditë pas kësaj date Kardiokirurgjia nuk ka nisur punën. Stafi që po punon intensivisht në këtë klinikë thotë se përgatitjet janë në fazën finale dhe se shumë shpejt pritet të nisë puna.

Megjithëse nuk kanë dashur të prononcoheshin pa pëlqimin e ministrisë, ata thonë se punët kanë arritur të kryhen rreth 99 për qind, por telashet kanë dalë me procedurat e prokurimit, meqë po vonohen barnat, materialet shpenzuese e mjetet e tjera.

Të kontaktuar nga KTV-ja, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë nuk kanë dashur të flisnin, ndërkohë që kanë thënë se ky shërbim do të jetë gati javët e ardhshme. Por këtë herë janë treguar më të kujdesshëm, duke mos precizuar një datë. Sido qoftë, për këto zvarritje janë pacientët ata që pësojnë më së shumti, pasi trajtime të tilla jashtë shtetit kapin shuma të mëdha parash./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›