Agim Zeqo me oreks të madh: Tani Skënderbe, duam Europën!
Pas një gjysme zezoni me oshilacione, e cila e bëri të përfundonte në vendet e fundit të tabelës, duket se ky Skënderbe është ringjallur më shumë se kurrë. Statistikat e fundit të korçarëve janë për rekord: 6 fitore radhazi të “ujqërve të dëborës” nuk mund t’i kishte menduar as tifozi më i zjarrtë i tyre, por ato janë tashmë realitet. “Kampionia virtuale” e gjashtë javëve të fundit (18 pikë të plota) për momentin ka dalë nga zona e ftohtë dhe përballja me Flamurtarin në javën e 26 në Korçë është një “larje hesapesh” për qëndrimin përfundimtar në Superligë. Gjithçka është e lidhur me rikthimin e besimit te klubi, i cili në janar mundi të gjente edhe sponsorë të fuqishëm. Agim Zeqo, Irfan Hysenbelliu, Grigor Joti dhe Samir Mane, duket se kanë objektiva përtej mbijetesës. “E prisja një fitore me Kastriotin. Ndeshjen me Flamurtarin e shoh si shumë të vështirë, tha presidenti Zeqo. Synimi ynë kryesor është të kalojmë zonën e ftohtë dhe deri në fund të luftojmë për më të mirën. Tani lojtarët e Skënderbeut kanë një besim të jashtëzakonshëm. Unë e mendoj dhe vendin e tretë, aq më tepër që dhe vendi i katërt është në lojë për Europën”. Korçarët kanë 33 pikë, ndërkohë që janë pesë larg vendit të tretë (nga 38 pikë kanë Laçi, Shkumbini e Tirana), ndërkohë që janë në lojë edhe 21 pikë të mundshme në 7 ndeshjet e mbetura.
#