E Shtunë, 31 Tetor 2026

Starova karikon Tiranën: 7 ndeshje, si 7 finale

Trajneri beson te një sigurim i Europa League

është rikthyer në një moment të vështirë dhe me objektivat e qartë për pjesën e mbetur të sezonit dhe menjëherë është ndier dora e tij te Tirana, e cila duket se është ringjallur jo vetëm në grumbullimin e pikëve shumë të nevojshme për këtë sezon, por edhe ka bindur me lojën e shfaqur në fitoren në transfertë ndaj Apolonisë. Bëhet fjalë për Sulejman Starovën, njeriun e rikthyer për të tretën herë në timonin bardheblu vetëm pak ditë para sfidës së të premtes, pas tërheqjes së lojtarit-trajner Devis Mukaj, por me një mision të qartë: të shpëtojë ç’të mundet nga një sezon thuajse 100% i dështuar i 24 herë kampionëve të Shqipërisë, të cilët janë eliminuar nga Kupa, ndërkohë që kanë vetëm shpresa matematike për një vend që të çon në Europë. Megjithatë tekniku i njohur duket se ka ndërmend të besojë deri në minutën e fundit, se me llogaritë më të mira mundet të luajë në Europa League me një vend të tretë në klasifikimin përfundimtar të Kategorisë Superiore. Dhe për këtë arsye ka vendosur të karikojë futbollistët e tij, që për të thënë të vërtetën kanë potencial, por duket se u ka munguar shpirti i garës. Ai shpirt gare që “Bobi” ka ditur ta injektojë më së miri në skuadrat që ka drejtuar. “Ndaj Apolonisë në Fier morëm një fitore të merituar, që për ne ishte shumë e nevojshme, nënvizoi Starova, por ajo që më jep kënaqësi ka të bëjë edhe me lojën e mirë që zhvilluam. Tani jemi rikthyer në vendin e tretë (në kuotën e 38 pikëve, po aq sa Laçi e Shkumbini) dhe duhet të tregohemi të vazhdojmë kështu deri në fund, pasi ‘basti’ është i njohur dihet tashmë: dua të luajmë në Europa League. Kanë mbetur edhe 7 ndeshje për t’u luajtur deri në mbyllje të këtij sezoni dhe për ne të gjitha janë si një finale, pasi duam të realizojmë objektivin që i kemi vënë vetes dhe që besoj se është i mundshëm për t’u arritur”. Një tjetër mënyrë për të bërë lojtarët e tij të ndezin “motorët” në këto shtatë ndeshjet e fundit është edhe një farë “shantazhi” që ai u bën në lidhje me të ardhmen e tyre te Tirana për sezonin 2010-2011. Në momentin që ka marrë në dorë ekipin, përveç objektivave për pjesën e mbetur të edicionit 2009-2010, Starova dhe presidenti Halili kanë bërë edhe një plan më largpamës: krijimin e një skuadre, të denjë për të luftuar në Kupat e Europës, por edhe ambicioze për dy trofetë në sezonin e ardhshëm. “Lojtarët në javët që na kanë mbetur duhet të japin maksimumin e tyre, pasi janë të gjithë në provë, sqaron Starova. Ata duhet ta tregojnë veten në çdo përballje që kemi, për të qenë pjesë e jona jo vetëm në ndeshjet europiane, por edhe në sezonin e ardhshëm, kur siç edhe e kam theksuar, synimi i Tiranës do të jetë fitimi i dy trofeve kryesorë, titullin kampion, por edhe Kupën e Shqipërisë”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›