Agimi i Artë kërcënon trazira nëse nis ndërtimi i xhamisë në Athinë

Partia e së djathtës ekstreme greke ''Agimi i Artë'' kërcënoi se do të angazhonte deri në 100 mijë persona në rast të ndërtimit të xhamisë së Athinës. "Nëse në Greqi ndërtohet një xhami për kriminelët islamikë do të organizojmë një betejë me 100 mijë grekë të kryesuar nga 'Agimi i Artë", deklaroi zëdhënësi i partisë, Ilias Kasidhjaris.
Kërcënimi i ''Agimit të Artë'' vjen pasi Shoqata Myslimane e Grekëve njoftoi se ka marrë një rekomandim të ashpër plot me vulgaritet, ku kërkohet largimi i emigrantëve myslimanë nga vendi ballkanik.
Policia po analizon kërcënimet e ''Agimit të Artë'', që akuzon imigrantët për kolapsin e ekonomisë greke.
Në Greqi jetojnë rreth 500 mijë myslimanë duke përfshirë edhe bashkësi prej rreth 100 mijë grekë me prejardhje turke, të cilët jetojnë në pjesën verilindore të vendit. Pavërësisht premtimeve të shumta, një numër i madh i qeverive greke nuk kanë siguruar ende ndërtimin e një xhamie në Athinë./Indeksonline/