Agimi i Artë kundër shkollës shqipe: Jashtë të huajt nga Greqia
Tri javë pasi është hapur shkolla e gjuhës shqipe në qytetin e Kavalës, dhjetëra anëtare të partisë neonaziste Agimi i Artë kanë protestuar para ndërtesës që ka ofruar bashkia e këtij qyteti për fëmijët e emigrantëve shqiptare duke mbajtur flamuj dhe pankarta në duar e duke bërtitur Jashtë të huajt nga Greqia.
Më pas ata janë grumbulluar para bashkisë kësaj here duke hedhur parulla kundër kryetarit të saj, Konstandinos Simitsis për vendimin e tij në dhënien falas të një ambienti të bashkisë për mësimdhënien e gjuhës shqipe.
Në vazhdim ata kanë marshuar në rrugët e qytetit duke shpërndarë postera në të cilat informonin qytetarët për ekzistencën e kësaj shkolle në Kavala.
Kryebashkiaku i këtij qyteti 70.000 banorësh ku jetojnë më shumë se 9000 emigrantë shqiptarë ka deklaruar ditën e hapjes së shkollës shqipe, në prezencë edhe të konsullit shqiptar në Selanik, se e konsideron integrimin e emigrantëve çështje parësore për organet vendore dhe mësimin e gjuhës së tyre amtare, një të drejtë të pamohueshme.
Duke iu përgjigjur ekstremistëve të Agimit të Artë ai ka deklaruar se nuk ka frikë nga kërcënimet, se shkolla shqipe do të vazhdojë të funksionojë dhe se është krenar për vendimin e hapjes së saj, që është mbështetur edhe nga Ministria greke e Arsimit, si një politikë për tu dhënë edukimin përkatës të gjithë atyre që ndodhen në territorin e Greqisë.
10 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
Agimi i Artë kundër shkollës shqipe: Jashtë të huajt nga Greqia burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email