LSI informon Trojkën e Ambasadorëve: Situatë kritike. Berisha: Legjitime
Tiranë- Shkarkimi i anëtarit të saj në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve ka nxitur Lëvizjen Socialiste për Integrim t’i drejtohet me një letër Trojkës së Ambasadorësve. Në letër Sekretari për çështjet ligjore Ylli Manjani informon ambasadorët e akredituar në vendin tonë se situata është shumë kritike sipas tij, pasi veprimi i Komisionit të Ligjeve ka cënuar legjitimitetin e procesit zgjedhor.
Në letër thuhet: “LSI konsideron se kjo është një lëvizje politike e Partisë Demokratike, me natyrë destabilizuese e cila politizon hapur KQZ dhe kërkon të vendosë mazhorancë të dhunshme politike në procesin e menaxhimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit 2013. Situata është jashtëzakonisht kritike dhe mund të minojë legjitimitetin dhe integritetin e të tërë procesit”,- thuhet në letër.
Ja edhe letra e plotë dërguar Trojkës së Ambasadorëve nga LSI:
Të nderuar Ambasadorë,
Sot, Komisioni i Ligjeve në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë,ka nisur një proçes për të zëvendësuar Anëtarin e propozuar nga LSI në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, z. Ilirjan Muho, i cili është zgjedhur në këtë detyrë në përputhje me Nenin 14 të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë për një mandat 6 vjeçar që prej zgjedhjes së tij.
LSI konsideron se kjo është një proçedurë e jashtëligjshme dhe në thyerje flagrante të Kodit Zgjedhor.
Ndërprerja para kohe e mandatit të Anëtarit të KQZ, iniciohet vetëm nga KQZ për arsye të parashikuara nga Neni 18 i Kodit Zgjedhor (bashkëngjitur) dhe jo nga Kuvendi i Shqipërisë. Në rastin konkret procedura e nisur është e jashtëligjshme sepse nuk plotëson asnjë nga kriteret e Nenit 18 dhe është nisur në nivelin e Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë.
LSI konsideron se kjo është një lëvizje politike e Partisë Demokratike, me natyrë destabilizuese e cila politizon hapur KQZ dhe kërkon të vendosë mazhorancë të dhunshme politike në procesin e menaxhimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit 2013. Kjo frymë pritet të shpërndahet edhe në Komisione të niveleve të tjera.
LSI do të reagojë politikisht dhe në mënyrë proporcionale dhe do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për bllokimin e këtij akti të dhunshëm dhe shqetësues politik. Ne nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që politika të ndërhyjë në çështjet e brendshme të KQZ dhe nuk do të tolerojmë asnjë tentativë për kompromentimin dhe manipulimin e procesit zgjedhor.
Situata është jashtëzakonisht kritike dhe mund të minojë legjitimitetin dhe integritetin e të tërë procesit.
LSI shpreson në mirëkuptimin tuaj dhe në angazhimin e menjëhershëm aktiv në funksion të parandalimit të përshkallëzimit të situatës dhe në interes të ruajtjes së standarteve të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit.
Ylli Manjani
Sekretar për Çështjet Ligjore
Lëvizja Socialiste për Integrim
Shkarkimi i Muhos nga KQZ-ja, Berisha: Institucionet nuk merren me vete
Kryeministri i vendit Sali Berisha ka reaguar dhe ka dhënë një përgjigje për shkarkimin e anëtarit të LSI-së nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, e debatin e ditës së sotme të cilin shefi i qeverisë e ka quajtur zhurmë.
Sipas tij, i gjithë procesi i zëvendësimit të zotit Ilirijan Muho me një nga përfaqësuesit e Partisë Republikane është ligjor në frymë dhe gërmë të Kushtetutës.
Kryeministri nga mbledhja me deputetët demokratë të rretheve u shpreh se marrëveshja e firmosur në vitin 2003 kërkon që institcioni i KQZ-së të jetë i balancuar me raportin 4 me 3. E pikërisht për këtë arsye Berisha tha se sa herë që partitë politike lëvizin, nuk marrin me vete edhe institucionet.
“Në shekuj parim themelor i funksionimit të shtetit të marëdhënieve ka qenë respektimi i marrëveshjeve. Në 2003 me ekspertët e Komisionit Ndërkombëtar është firmosur marrëveshja që është vendosur që KQZ-ja do të jetë i balancuar, është pranuar për balancë raporti që dikton shumica e vendit. është vendos raporti 4 me 3. Mbi këtë bazë ne ishim opozitë dhe ky ishte ndërtimi në 2005-ën. Ne erdhëm në pushtet opozita pranoi marrëveshjen. Normale që forcat politike bëjnë marrëveshjet e tyre sipas vlerësimeve që bëjnë po kjo s’do të thotë që i marrin institucionet në shpinë. Shkon tek tjetri, institucioni duhet i balancuar, jo i pabalanvuar pse vrapojnë forcat politike.”,- tha kryeminisitri Berisha.
Ndërkaq që ai akuzoi kryesocialistin Edi Rama se kishte qëllim rrëzimin e qeverisë dhe tani do të rrëmbejë institucionet, tha Berisha.