Agimi i fundit i Kullave Binjake
11 shtatori po vjen, por në verën e vitit 2001, një person po jetonte pushimin në një anije peshkimi në portin e New Yorkut. Ky ishte Reinhard Karger që kishte shkuar për ta vizituar dhe pushuar tek i vëllai, pse jo edhe për të peshkuar. Në pushimin e tij, ai dëshironte që të blinte gjëra në Manhattan dhe të kënaqej me ditët e verës atje.
Pamjet e New Yorkut ishin verbuese dhe të bukura.
Të premten e shtatë shtatorit, vëllai i tij ishte zgjuar për ta marrë atë nga aeroporti. “Vozitëm në një trafik të ngjeshur me anijen e tij që quhej ‘Liberty Landing Marina’, një jaht që lundronte në anën e kundërt nga lumi Hudson në Manhattan. Para syve, normalisht mund të shikonim rrokaqiejt e mëdhenj të Kullave Binjake – një kompleks me disa ndërtesa afër dhe shumë biznese që madje kishin edhe kodin postar të tyre”, thotë ai. Në atë lagje ishin edhe kompania “American Express”, “Dow Jones”, “Banka e Amerikës” dhe shumë kompani të tjera. Mbi të gjitha, normalisht ishin Kullat Binjake.
Ditën e dytë, me tetë shtator të dy vëllezërit kishin vendosur që të vizitonin Manhattanin dhe Statujën e Lirës, që ishte nën urën e Verrazan – njëra prej urave më të mëdha në Amerikë që gjendet në oqeanin e hapur.
“Ne dëshironim të arrinim “Fanarin Ambrose”, i cili është një pikë e kalimit të Atlantikut, në anën amerikane dhe që njihet si ujërat me shtytjen më të madhe në oqean”, thotë tani Karger.
“Një ditë më pas morëm një anije, përsëri ishte kohë e mirë. Normalisht, për të vizituar mrekulli të ndryshme të oqeanit nga mëngjesi deri në mbrëmje. Ne peshkuam në errësirën e mbrëmjes në port dhe ishim shumë afër Manhattanit. Normalisht nuk mund të mos rrija pa i shikuar edhe Kullat Binjake”.
Mëngjesi i së hënës më 10 shtator nuk kishte qenë shumë interesant për Reinhardin dhe vëllanë e tij, sepse ata vazhduan të merren me gjërat e njëjta, peshkim në det, kuzhinë dhe normalisht lexim të librave.
Por, çfarë kishte ndodhur të martën më 11 shtator 2011, një gjë që ai nuk e kishte parashikuar në pushimin e tij.
“Do të takohesha me Stevin, që ishte vëlla nga nëna ime, një ditë më vonë, pra më 11 shtator. Mirëpo, ende nuk e kishim caktuar kohën dhe vendin dhe më ishte dashur që t’i telefonoja në orën 10 të mëngjesit. Pasi hëngra mëngjes dhe bëra tualet me vëllanë tim, vazhdonim të shikonim bukuritë e Manhattanit. Mëngjesi ishte i qetë dhe i ngrohtë. Moti premtonte një ditë të mirë. Dielli ngrihej direkt mbi Kullat Binjake. Shpesh i fotografoja me vëllain tim, edhe pse ai më pyeste mos kam bërë tepër fotografi”, kujton tani Reinhard.
Pas kësaj, vëllai i tij kishte shkuar në punë. Ai ishte ulur në kuvertën e anijes, derisa dielli kishte lindur dhe moti ishte ngrohur. Rreth orës 8:15 ai kishte shkuar në kabinë për t’u shtrirë dhe për të lexuar. “Dola jashtë për të parë qiellin e kaltër në kuvertë. Anija nuk lëkundej, kështu mund të pushoja. Pas orës nëntë, telefoni cingëroi. Ishte Stevi. Ne biseduam dhe bëmë planet e ditës. Ai me tha se mund të takohem në metronë afër portit. Pas kësaj, dola jashtë për të pirë një cigare në kuvertë. Atje përballë pashë tymin”, tregon tani Reinhard.
Kështu ai shpjegon edhe renë e tymit në jug, ku ndërtesa ishte shtrirë si një cigare në mënyrë horizontale. “Lëviza kokën dhe pashë fundosjen e Kullave Binjake. Nga aty e kuptova se diçka kishte ndodhur. ‘Kullat po kallen’, i thashë Stevit. Shihej qartë që edhe njerëzit nëpër anije të tjera shikonin Manhattanin. Disa anije kishin TV. Ata filluan që të jepnin lajmet për një sulm terrorist. Ishte një sulm, të dy ndërtesat u qëlluan. Mbylla telefonin. Atë verë nuk e pashë Stevin”, thotë tani Reinhard.
Por, kjo nuk ishte e tëra. Reinhard kishte mbetur i shtangur atë natë të 11 shtatorit. Babai i tij menjëherë i kishte telefonuar dhe i kishte thënë se dhe Pentagoni ishte goditur, përderisa në Pennsylvani një aeroplan ishte rrëzuar. “Magnituda e katastrofës ishte më e madhe sesa e imagjinoja. Pavarësisht goditjes, Kulla veriore qëndroi më gjatë se e imagjinoja. Por, shihej tymi. Situata nuk ishte relaksuese”.
“Rreth orës 10 e 30, me zhurmë, në mënyrë të ngadaltë, ndërtesa filloi të rrëzohej. Pas kësaj, një re pushtoi Manhattanin dhe dielli u errësua. Ishulli u zhduk. Një fllad nga veriu shtyu pluhurin në rrugë të jugut drejt portit të New Yorkut. Pak nga pak, tymi iku dhe tani kishim një pamje tjetër të asaj pjese”, kujton tani Reinhard.
Vëllai i tij erdhi në shtëpi shumë vonë. Ai kishte thënë se rrugët ishin të zëna, trafiku ishte shumë i zënë dhe kishte pika kontrolli nga policia e ushtria në çdo anë. Edhe mbrëmja ishte e vrenjtur.
“Me kujtohet se dielli perëndoi me një ngjyrë të zbehtë në të kuqe. Dita përfundoi duke lënë shumë konfuzion dhe mërzi te njerëzit. Televizionet jepnin raporte të shumta, intervista, spekulime për numrin e viktimave dhe më vonë edhe emrat e terroristëve dhe motivet e tyre për këtë vrasje. Të gjithë e kuptuan. Diçka vetëm sa ka vdekur. Por, askush nuk e dinte se çfarë do të ndodhte pas kësaj ngjarjeje”.
Kështu Reinhard Karger e kujton agimin e fundit të Kullave Binjake në New York. Kështu, ai kujton tymin dhe pluhurin në të gjithë qytetin. Kujton perëndimin e diellit në një qiell të ngrysur nga tymi, kujton agimin e zymtë të 12 shtatorit, një ditë pas sulmit terrorist në Kullat Binjake që tronditi tërë botën.
“Më 16 shtator, vëllai me dërgoi në aeroport. I thamë njëri-tjetrit lamtumirë, edhe pse kishim frikë se nuk do të shiheshim më. Në aeroplan kishte vetëm pirunë dhe thika të plastikës dhe asgjë të hekurt. Aeroplani ateroi me kohë në Frankfurt”.