Draskovic: Serbia të pranojë Ahtisaarin

Lideri i partisë Lëvizja për Ripërtëritje Serbe (SPO), Vuk Draskovic ka deklaruar se Serbia duhet të kërkojë një politikë tjetër ndaj Kosovës, meqenëse politika aktuale e ruajtjes së integritetit territorial u tregua e pasuksesshme.
“Ajo që është e humbur, nuk mund të ruhet, as nuk mund të kthehet me luftë apo me diplomaci”, ka thënë Draskovic.
Ai vlerëson se Serbia duhet të pranojë pjesën jostatusore të Planit Ahtisaari, në mënyrë që të mos pendohet më vonë siç ka ndodhur me refuzimin e Planit Z-4 për serbët në Kroaci.
Ai thotë se duhet të pranohet që Kosova është fqinji më i afërt dhe i veçantë i Serbisë “dhe me të duhet mbajtur marrëdhënie të lira ekonomike, pa e njohur pavarësinë e saj, ashtu siç ndodh mes Kinës dhe Tajvanit”.
“Nëse Serbia e ndjek këtë rrugë, do t’i hapen dyert për Europë, ndërkaq insistimi në politikën aktuale e shkatërron shtetin serb dhe e bllokon integrimin europian të tij”, tha ai.