Agimi
(Ribotim për arsye aktualiteti)
Ju kujtohet Agim Ramadani? Janë disa rrugë në Kosovë që e bartin emrin e tij! Pas luftës së fundit, Lidhja Demokratike e Kosovës u përpoq ta rrëmbente për interesa të politikës ditore. Synonte ti thoshte demokratëve të Hashim Thaçit: “Ju Adem Jasharin, ne Agim Ramadanin!” Ky budallallëk nuk funksionoi. Ishte e pamundur të keqpërdorej figura dhe flijimi i një luftëtari, në garën qesharake se kush është më shumë patriot. Ashtu siç nuk ka funksionuar as përpjekja fillestare e PDK-së, për përvetësimin e sakrificës së Adem Jasharit. Edhe nga bota e përtejme, thua se një fuqi e padukshme i korrigjon çmenduritë e politikanëve të Kosovës…
Ju kujtohet Agim Ramadani? Është luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili, pas Adem Jasharit, ka komanduar aksionin më të fuqishëm dhe më domethënës në historinë e re të Kosovës: mposhtjen dhe përzënien e ushtrisë serbe, nga kufiri me Shqipërinë. Edhe pak javë, e do të mbushen 8-vjet nga rënia e Agim Ramadanit në betejën e Koshares. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, shumë patriotë të përgjumur filluan të thurin legjenda për marrëdhëniet e tyre miqësore me Agim Ramadanin. Njëri thoshte kam pirë kafe me të çdo ditë, tjetri çirrej se e kishte shoqëruar deri në front! Personalisht, jam trishtuar nga këto rrëfime të rrejshme, nga paturpësia për të shtrembëruar realitetin. Vetëm njëherë në gjithë këto vite, kam shkruar një tekst të shkurtër për Agim Ramadanin dhe për bisedat me të në Zürich. Ai nuk ka folur kurrë për luftën, unë nuk e kam pyetur kurrë për luftën. E dija që është oficer i shkolluar në Zagreb. Bota që na lidhte kishte të bënte me shkrimin…
Zbehja e kujtesës
Më kujtohet një vizitë e përbashkët varrezave Fluntern në kodrën e Zürich-ut dhe varreve të dy kolosëve të letërsisë: James Joyce dhe Elias Canetti. Si autor politik dhe si ballkanas, Canetti (i lindur në Bullgari, në një familje hebraike) ishte më i afërt për ne. Është një citat nga vepra e këtij nobelisti, të cilin e kishim diskutuar gjerë e gjatë, disa muaj para se Agim Ramadani të largohej nga Zvicra. Ky citat i Canettit sot lexohet si profeci për rënien në betejë: Unë përulem para kujtesës, para kujtesës së çdo njeriu. Dua që ajo të jetë e paprekur, ashtu siç i takon njeriut, i cili lufton për lirinë e tij dhe nuk e fsheh përbuzjen time kundër atyre që ia lejojnë vetes, që atë tia nënshtrojnë ndërhyrjeve kirurgjikale, derisa kujtesa ti përngjajë të gjitha të tjerave. Ata mund të operojnë hundë, buzë, veshë, lëkurë dhe flokë, sa të duan, ata mund, nëse vërtet duhet, të implantojnë sy me ngjyrë tjetër, edhe zemra të huaja, të cilat rrahin një vit më shumë, mund të prekin gjithçka, të shkurtojnë, të lëmojnë, të barazojnë, por, kujtesën do të duhej ta linin ashtu si është.
Cila është sot, kujtesa për Agim Ramadanin? Është e zbehtë, pothuaj joekzistuese. Familja e tij vazhdon të jetojë në katund, në pronë e shtëpi të veten. Familja e ngushtë në Zürich. Vëllezërit e tij vazhdojnë të jenë qytetarë të barabartë me të tjerët. Bekimi, i cili vazhdon të jetojë dhe punojë në Zürich, në ditët me diell, lundron me varkë nëpër liqen. Kurrë nuk e kam dëgjuar duke u kapardisur për vetëmohimin e vëllait të tij. Me një humor të papërsëritshëm të Karadakut, ai thotë se gjërat bien në vend me kohën.
Të jetosh me kusarë
Tani për tani, gjërat nuk janë në vend. Mafia patriotike dhe mediale e Prishtinës, e cila dominohet kryesisht prej gazetarëve të korruptuar deri në fyt, si model kulturor ka imponuar figura të diskredituara, shkathtësia e vetme mendore e të cilëve janë muskujt, armët, kërcënimet! Nën petkun e patriotizmit, këta kusarë defilojnë nëpër televizione si të ishin instanca e fundit e moralit, nderit dhe përgjegjësisë. Janë e kundërta! Janë pasqyra më e mërzitshme e një shoqërie të dominuar nga mafia! Dhe shumica e kosovarëve e kanë të qartë këtë! Por, me një lehtësi të padurueshme, vazhdojnë të durojnë imponimin e këtij modeli të zi kulturor.
Çfarë është dashur të bëjë familja e Agim Ramadanit, për ta ruajtur kujtesën për heroizmin e tij? Sipas shembullit të të tjerëve, vëllezërit e Agim Ramadanit u është dashur të kurdisin tenderë, të ndërtojnë vila dhe ta bëjnë Prishtinën çiflig; është dashur të bëjnë zhurmë nëpër qytet me vetura të shtrenjta, të mëdha dhe të zeza; është dashur të kërcënojnë gazetarë, të shajnë me nanë, të ndërhyjnë në politikën redaktuese të Televizionit Publik, të imponojnë frikën si mundësi të jetës dhe ta masovizojnë modelin kulturor të tipit Ceca&Arkan.
Familja e Agim Ramadanit nuk ka bërë asgjë nga këto fëlliqësi, nuk ka marrë pjesë në këtë sistem mafioz. Për këtë arsye, edhe është harruar nga opinioni dhe nga ajo që publicisti britanik, Tim Judah, së fundi e quajti shoqëria e poshtër e kafehaneve të Prishtinës.
