Shtëpia që u dogj është edhe varri i vëllezërve Prendi
TIRANË – Askush nuk ka më kurajë ta ndërtojë edhe njëherë shtëpinë e gjëmës, e për më tepër kur ke humbur dy djemtë për të cilët ke sakrifikuar gjithë jetën tënde. Ky është edhe mendimi i Sotiraqit, i cili sapo është kthyer nga Greqia, ku punonte për të ushqyer fëmijët. Atij nuk ka sesi t’i bëjnë duart të punojë për të rindërtuar një shtëpi, e cila ndodhet larg rrugës ku nuk mund të hyjnë as ambulancat në rast emergjence, apo dhe ujë të pijshëm për jetesë. Sotiraq Prendi do të shkojë të banojë diku tjetër me dhimbjen për humbjen e fëmijëve të tij. Ai e ndien thellë përgjegjësinë për humbjen e fëmijëve, pasi nuk mundi të ishte pranë dy djemve të tij, Renato e Klezart, 13 dhe 15 vjeç, kur kishin shumë nevojë për të. Por ai erdhi me urgjencë për t’u dhënë fëmijëve të shtrenjtë lamtumirën e fundit. Së bashku me djalin e madh, ai qëndronte pranë bashkëshortes, Pranvera, e cila veç dhimbjes për humbjen e dy fëmijëve të vegjël, mbart edhe brengën që nuk ishte në shtëpi mbrëmjen e së shtunës, pasi kujdesi i saj patjetër mund të kishte shmangur tragjedinë e rëndë. Por vdekja e dy vëllezërve, Renato dhe Klezart, “denoncon” një fakt tjetër të rëndë. Dhjetëra dhe qindra familjet e lagjeve të Kodrës së Sharrës, 2 kilometra në jugperëndim të Tiranës, vuajnë mungesat e infrastrukturës dhe kushteve minimale të jetës. Sotiraqi, babai i dy fëmijëve, ndonëse i tronditur nga tragjedia e ndodhur dhe i rraskapitur nga rruga e gjatë e kthimit, nuk donte ta kujtonte edhe njëherë situatën në të cilën ai mësoi lajmin e kobshëm dhe detaje rreth ngjarjes së rëndë.
13 Mars 2008