E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agolli dhe matura shtetërore

Ilir Paja

- Në këtë shkrim nuk do marrim përsipër të vëmë në pah, figurën e Dritëroit si Njeriu i Letrave shqipe, por dhe jo të analizojmë karakterin e saj estetik. Se kush është Agolli sot në mbi të tetëdhjetat në moshën e tij, cilido lexues para se t’i dhuronte një takim me të përshëndetës, së paku do përkulej plot përkorje, për atë jo që Ai është ende mjaft, por dhe atë që do lë pas vetes. Por poeti dhe shkrimtari ynë, këtë vit, pra në programin e maturës 2012-2013 nuk u gjend gjëkundi si i pranishëm, si dëshmi e një letërsie mbi gjysëm shekullore.

Por nuk u gjend as dhe Camaj... Arsyet mund të jenë të shumta, ndosta dhe vetëm njëra: një lodhje dhe ngarkesë për nxënësit tanë. Ndoshta! Por unë mendoj ndryshe... Për t’u kthyer pak në kohë, mjafton të kujtojmë reagimin jo mësimdashës të shumë mësuesëve të letërsisë pa bërë dallim as shkollash, as dhe qarqesh administrative. Këtu e kam fjalën për poezinë e Sharl Bodlerit me titull “Albatrosi”.

Duke qenë korrigjues prej vitit 2006, e duke qenë se stafin që hartojnë testin e letësisë e kam vlerësuar dhe e kam çmuar në veçanti, kur janë përpjekur ta ngrenë siç thuhet pak “stekën” e ndjeva dhe e kuptova se si u ndjenë atë vit të maturës, kur përzgjodhën Bodlerin. Si shtypi, mësues e mësuese, prindër, ankimime nga të gjitha rrethet mësimdhënëse, deri dhe nxënës, që të gjithë këta unë do i cilësoja “dije ndriturit e bejteve”, nuk lanë sharje në adresë të poezisë. Që të mos zgjatem, duke qenë se përveç sa jam mësues letërsie prej 17 vitesh, e duke qenë se përpos së krijuarit shfletoj dhe studime pas universitare, mjafton t’i kujtoj lexuesit-mësues të lexojë citimin e mëposhtë shkëputur nga lënda “letërsi e krahasuar-komparatiste”, e cila zhvillohet në studimet universitare, ku për këtë poezi thuhet: Edhe lexuesit më të rëndomtë pas leximit të krijimeve poetike të Baudelaire-it “Albatrosi” dhe të Lasgushit: “Vdekja e Nositit” do t’i mbetej përshtypja e përngjasimeve të hetueshme...[citimi vazhdon].

Nëse sheh programin e përgatitjes të maturës shtetërore në poezinë shqipe koha ndalon deri tek Kadareja ose në letërsinë kosovare deri tek një Podrimje e A.Shkreli. E nëse citojmë Kadarenë, që thotë se me poezinë e ka pëfunduar miqësinë me të kahershëm, a nuk mund të kërkojmë ( figurativisht ) poezinë tonë pas viteve 70? Emra si Xh.Spahiu, B.Londo, Frederik Reshpja, Pano Taçi, Visar Zhiti, këta të fundit autorë të mbijetuar falë luftës për jetën dhe jo mëshirës së Ferrit...Do e plotësonin jo pak mozaikun e portretit të poezisë shqipe. Për të mos folur më pas për poezinë avangardë të post viteve ‘90. Unë dhe kolegët e mi e kuptojnë, se të zgjerosh në këto përmasa lëndën, na mbetet që korrigjimet e eseve, ku çdo klasë në një vit shkollor ka të detyrueshme mbi 10 punë me shkrim, pra ese, i duhet t’i kërkojmë kohë dhe Hënës për nga ndriçimi i saj që të bëjmë gjithçka.

Por ka një zgjidhje. Fragmentarizmi i këtyre shkrimeve do i krijonte nxënësve mundësinë e një pune plot dëshirë, që nuk do e mbante vetë mësuesin të lidhur pas mendimeve të tij të pavarura. Së fundi, për të mbetur besnik dhe jo “devijues” programit shkollor, vërtet që çdo tekst, e në veçanti poetik, duhet parë përtej një leximi formal. Sepse siç shprehet dhe nga studiues në referimet e tyre shkencore, “vonesa e letërsisë shqipe është një vonesë e sintezës”. Të gjithë e kujtojmë testamentin e Kadaresë lënë pak para largimit nga Shqipëria me veprën “Ftesë në studio”. Një vepër ku autori rrëfen pothuaj detaje nga çdo vepër e tij, e cila gjendet dhe në program, por mbi të gjitha të na sugjerojë, që jo të mësuarit, por të krijuarit është vetëflijim.

Kështu, atëherë cilido nxënës do kuptonte se të mësuarit është së pari respekt për njeriun që me dijen e tij të ka dhururar përtej vetes, sepse ka menduar për ty Njeri-sot nxënës! “Ne kishim një ëndërr” vargëzon Dritëroi në poezinë “Ëndrra e prerë”...Po ne ç’kemi sot? Fatkeqësisht ende një profeci agolliane. Sepse në testin e sivjetshëm “joletrar”, ku në një fragment të përzgjedhur nga hartuesit e testit mbizotëronte atmosfera e një toke dhe qielli nën shi, asnjë (pothuajse) nxënës nuk iu përgjigj pyetjes, se ç’gjendje krijon vazhdimësia e shiut... Një ftesë jo në profecinë agolliane, por të një profecie rilindjeje! Uroj!


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›