E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si përjetohet e hëna, kur e diela e votëbesimit është e mbushur me arrogancë?

15-09-2013 / Nga Ilir Nikolla

Rasti e desh që Edi Rama ta merrte votëbesimin ditën e diel, pasi të hënën kishte planifikuar personalisht ca punë, të cilat s’i shtynte dot. Shumë popuj të lashtë kanë rrënjosur traditën e haramit për punët e ditëve të pushimit, pasi ato janë punë që i marrin kohën adhurimit për Zotin. Po e tejkalojmë këmbënguljen për qeverinë sabatike, por s’kapërdihet dot një e shtunë e një e diel e përmbytur nga arroganca dhe revanshi. Bile, me një përfundim që edhe tek filistinët s’i gjendet raca, ajo e kërcënimit ndaj kundërshtarit, nëpërmjet frazës kataklizmike “s’keni parë ende asgjë”.
E ç’duhet të pritet e të shihet më shumë, sesa klasifikimet “ju jeni fatkeqësia e vendit”, “jeni të zhytur deri në grykë në vjedhje”, “e latë vendin në katastrofë”... Paradhënien e kësaj perspektive e dhanë disa kasnecë të Edi Ramës, kur deklaruan në këto dy ditë pushimi se “çdo nëpunës i larguar nga puna në këto 8 vjet, për shkak të bindjeve të tyre politike do të kthehet në detyrë” (citim i Pandeli Majkos – çudi si shndërrohet ish-kryeministri në një kasnec politik). Kthimi i realitetit 8-vjeçar mbrapsht është shndërruar në një fiksim të mazhorancës së re dhe detyrat e para të shpallura të çetës së ministrave përshkruhen nga fjala “zhbërja e...”. 
Arroganca e çoi kryeministrin tonë të ri të marrë funksionet e skenaristit të viteve të qeverimit, njëfarë fallxhori që ia sheh vetes të ardhmen me hile. Ai shpalli se do të ishte Tirana modeli që do të ndiqte në nusërimin e ekzekutivit.
Imagjinojeni! Shembulli që do të ndjekë kryeministri ynë do të jetë ai i kryeqytetit. Mostrat e një qyteti që ka nivelin më të ulët të gjelbërimit për banor, që ka bllokuar projektin për të çaktivizuar bombën urbane të sistemit të kanalizimeve të ujrave të zeza, që e shndërroi për 11 vjet në një hapësirë betoni, sa u kthye në shembullin e zi të konferencave ndërkombëtare të urbanistëve, që e klasifikoi në kryeqytetin e vetëm në botë, pa mbikalime, pa nënkalime, pa parkingje publike e me një trafik ku s’gjen derman as ambulanca. Në modelin mikro të qeverimit të Tiranës gjejmë bunkerin, si një skemë ku mund të depërtojnë vetëm anëtarët e sektit personal.
Këtë model tha Edi Rama se ka në mendje ta ndjekë... E tha ditën e pushimit dhe e shpalli me entuziazëm. Ka ndërmend ta ndjekë në mënyrë sektare, me forca të shumëfishuara, meqenëse i duket se ka duruar shumë në opozitë (veç dy vjet në fakt). 
Sot ai do të jetë në Bruksel për të përcjellë mesazhin se s’ka lekë as për rroga, se s’bëhet fjalë të ketë më rritje pagash e pensionesh, se në dimër është 100 % e sigurtë se do të ketë krizë energjetike dhe se opozita po i kërcënon koalicionit të tij kohezionin, përmes shkeljes së syrit që po i bën partnerit të tij qeverisës, që mbetet sot e gjithë ditën i pabesueshëm.
Prognoza e së hënës u shqiptua dje nga dhjetëra kasnecë parlamentarë, prandaj imagjinata jonë për të hënë që vjen pas së dielës së qeverisë së pushimeve, duhet të shkojë përtej këtyre kufijve. Dhe përtej kufijve, si ushqim kemi rrënjët e mazhorancës dhe fotografinë me mesazhin zaptues të qeverisë Rama në derën e godinës së kryeministrisë. Ishte një përpjekje për t’i ngjajtur shumë marshimit të diktatorit komunist më 28 nëntor 1944. Prej këtij mesazhi estetik të qeverimit soc-komunist mund të presim veç vendime për pushime nga puna, sekuestro pronash e linçime publike të kundërshtarëve politikë. Është një perspektivë që s’ka për të kaluar pa qëndresë. Dëshmitarët e Ramiz Alisë janë ende në kabinetin e Edi Ramës për të na ndihmuar të kuptojmë se estetikën e zaptimit po e jep një brez i dytë pinjollësh të diktaturës, të cilët kujtojnë se u ka ardhur rasti i dytë në histori për të sunduar. Kujtojmë se historia edhe mund të përsëritet për së dyti, por pinjollët e diktaturës duhet ta dinë se herën e dytë, ajo përsëritet veç si farsë. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›