Agron Duka: Kandidimi im me PR-në, pas sjelljes jokorrekte të Ramës
Përplasja
Ish-ministri: Dua të përfaqësoj elektoratin e Shijakut
Ylli Pata
Ish-ministri i Bujqësisë, Agron Duka, deklaroi se vendimi i tij për të kandiduar për Partinë Republikane në Durrës, ka ardhur si pasojë e një veprimi jokorrekt të kryetarit të PS-së, Edi Rama, në lidhje me kontributin që Duka ka dhënë prej vitesh në PS. Duke folur për Shqip, zoti Duka sqaroi se kandidimi i tij në listën e PR-së në Qarkun e Durrësit, është një veprim në bazë të marrëdhënieve që ai ka me elektoratin e këtij qarku, por në veçanti të qytetit të Shijakut dhe zonës përreth tij, ku ai ka kontribuar prej vitesh. Unë nuk erdha në politikën shqiptare si një militant i dalë nga kuzhinat e partive politike. Kam një kontribut në administratë dhe në qeverisje, si një specialist që kam shërbyer pa asnjë paragjykim politik dhe duke respektuar të gjithë. Të gjithë e njohin këtë kontribut dhe vlerësoj bashkëpunimin me ish-kryeministrin Fatos Nano, i cili më dha mundësinë për të punuar në administratë si prefekt i Durrësit e më pas si ministër i Bujqësisë. Duka shton më tej se ai ka bashkëpunuar ngushtë edhe në kohën kur zoti Edi Rama mori drejtimin e PS-së, madje me rezultate konkrete. Kur z. Rama më kërkoi bashkëpunimin, ia dhashë me mish e me shpirt dhe duke treguar rezultate konkrete. Fituam Bashkinë e Shijakut, duke sjellë në politikë një model emancipimi, pasi sollëm në qeverisje një zonjë, në kulmin e acarimit, duke sjellë edhe konceptin e barazisë gjinore. Por ky kontribut nuk mu kthye në mirënjohjen apo vlerësimin politik nga kreu i Partisë Socialiste. Në zgjedhjet e 2009-s nuk u përfshiva në skuadrën e deputetëve, por unë sërish kam kontribuar në hartimin e programit dhe ringjalljen e bazës, pra duke punuar për fitoren në zgjedhje. E çfarë marr si kontribut? Degdisjen në Qarkun e Beratit… Ju lutem zotëri, këtë e konsideroj e pakta, si një veprim jokorrekt, por të mos thënë një ofendim ndaj kontributit, vlerave, korrektesës dhe burrërisë që kam treguar. Unë kam një marrëdhënie të gjatë jo vetëm politike, por edhe njerëzore me banorët dhe zgjedhësit e Shijakut. Këtë marrëdhënie do të mundohem ta çoj përpara si gjithmonë pas pasur paragjykime politike dhe të mos i shikoj zgjedhësit si të Ramës apo Berishës. Unë jam vlerësuar më së shumti nga njerëzit për burrërinë që kam treguar të mbaj angazhimet e mia. Më vjen shumë keq se nuk dua ta bëj tërkuzë këtë ngjarje, pasi kemi të bëjmë me një angazhim që vjen falë jokorrektesës nga ana e Edi Ramës, deklaroi ish-ministri i Bujqësisë, Agron Duka. Kalimi i tij në listat e Partisë Republikane pritet të zyrtarizohet gjatë ditës së sotme, por Duka deklaroi se ka pasur bisedime vetëm pasi i është komunikuar nga ana e kreut të PS-së se do të vendosej i pesti në listën e kandidatëve për deputetë të Qarkut të Beratit. Nënkryetari i Partisë Republikane, Arjan Madhi deklaroi dy ditë më parë në media se Ka qenë një proces i gjatë negociatash me zotin Duka, ne i kemi ofruar të jetë i pari në listën e Durrësit. E vlerësojmë figurën e tij si profesionist. Zoti Duka ka qenë me bindje të djathta dhe po kthehet tek e djathta, pavarësisht përplasjeve të kohëve më parë. Jam i kënaqur që ka pranuar ftesën tonë.
Agron Duka: Kandidimi im me PR-në, pas sjelljes jokorrekte të Ramës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email