Ahmadinexhadi dhe Çavezi i drejtohen njëri-tjetrit si vëllezër

Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, ka takuar homologun e Venezuelës në Karakas, që është pjesë e turneut të tij në Amerikën Latine.
Hugo Çavez ka përgatitur qilimin e kuq për mirëpritjen e Ahmadinexhadit në pallatin presidencial të Venezuelës.
Dy liderët, kritikë të shpeshtë të politikave të Shteteve të Bashkuara iu referuan njëri-tjetrit si “vëllezër”.
Ahmadinexhad tha se nëse ata janë duke ndërtuar së bashku ndonjë bombë, “lënda e asaj bombe është dashuria”.
Çavez tha se ata do të përdorin armët “kundër varfërisë, urisë dhe prapambetjes”.
Para nisjes së Ahmadinexhadit në turne, Uashingtoni u ka bërë thirrje vendeve të Amerikës Latine të mos i forcojnë marrëdhëniet me Iranin, duke thënë se “Republika Islamike po përballet me një presion në rritje të komunitetit ndërkombëtar, për shkak të programit të saj bërthamor”.