Bashar Al Assad: Në gadishmëri për armiqtë
Presidenti sirian Bashar al-Assad ka mbajtur sot fjalimin e tij të rrallë publik, në lidhje me protestat e vazhdueshme dhe gjakderdhjen në vend. Në fjalën e tij Bashar al Assad fajësoi Perëndimin se ka nxitur protestat e dhunshme në Siri ndërsa bëri sërish të qartë se nuk do të japër dorëheqjen.
“Jam këtu për të mbështetur njerëzit dhe do të përmbush dëshirën e tyre. Është e rëndësishme që fuqia të jetë në duart e popullit. Kjo betejë ka qënë shumë e ashpër duke sjellë edhe pasoja. Ne duhet të jemi në gadishmëri për armiqtë dhe nuk duhet të jemi të varur nga propaganda” ka theksuar Bashar al Assad.
Sipas tij revolucioni ka qënë një sabotim ndërsa shtoi se ai nuk ka gjetur mbështetjen e duhur në popull.“Ky revolucion në formën e manipulimit nuk ka gjetur mbështetjen e duhur dhe e vetmja mundësi që ata kanë është një mbështetje nga jashtë” ka shtuar Al Assad.
Presidenti sirian Bashar Al Assad i është përgjigjur edhe kritikave të mediave ndërkombëtare se nuk janë lejuar të hyjnë në Siri për të raportuar në lidhje me situatën. “Ne nuk do t`ia mbullim derën mediave por duhet të selektojmë ata që do të raportojmë nga Siria. Është e rëndësishme që të ketë kontrolle për informacionet që hyjnë dhe dalin nga Siria. Ka pasur komplote për të mbërritur në këtë pikë dhe këto përhapën dëshpërim dhe panik në popull” ka shtuar Bashar Al Assad.
Ndërkohë në disa qytete të Sirisë dhuna është duke vazhduar pavarësisht pranisë së vëzhguesve të Lidhjes Arabe. Opozita akuzoi misionin se po shërben për të mbuluar shtypjen ndaj protesuesve anti-regjim që ka pothuasje një vit që vazhdon.
165 vëzhgues ndodhen në Siri për të monitoruar pajtueshmërinë me një plan të Ligës Arabe që kërkon ndalimin e dhunës, heqjen e armëve të rënda nga qytetet dhe lirimin e të gjithë të burgosurve politikë.
Pavarësisht kësaj vrasjet kanë vazhduar me të njëjtin ritëm. Qindra protestues kanë vdekur që kur misioni mbërriti dy javë më parë. Ndërsa aktivistët thonë se rreth 5 mijë vetë kanë humbur jetën që kur protestat kundër al-Asad filluan.