Ahmetaj: Fasonët në krizë, shkurtuan 11 mijë vende pune
Partia Socialiste vlerëson se ekonomia e vendit po rrënohet me shpejtësi dhe se gjatë këtij viti janë shkurtuar rreth 100 mijë vende pune. Deputeti Arben Ahmetaj doli dje me një deklaratë, me anë të së cilës akuzon aleancën PD-LSI në pushtet, se “pavarësisht se kishte premtuar krijimin e vendeve të reja të punës, sot është shkaktare për humbjen e më shumë se njëqind mijë vendeve pune në pak muaj”.
Ahmetaj tha se, sektori i fasonëve ka dhënë tashmë sinjalin e alarmit dhe kërkon ndihmën e qeverisë. Sipas tij, 11 mijë vetë janë pushuar nga puna në ndërmarrjet me fason për shkak të krizës ekonomike.
“Në bujqësi, në muajt e fundit të 2009-s janë humbur 73 mijë vende pune. Ndërkohë që Berisha mburret me investime fantazmë në bujqësi, nga vetë shifrat, del se qeveria investon në bujqësi vetëm 1 euro e gjysmë në muaj për çdo të punësuar në këtë sektor”, tha deputeti socialist.
Ai tha se INSTAT dhe pushteti deklarojnë rritje duke krahasuar dy vite krize me njëri–tjetrin, për të mbuluar me një gënjeshtër të pacipë krizën e gjithanshme.
Sipas socialistëve, shqiptarët po kuptojnë qartë që arsyeja kryesore e varfërisë së tyre dhe shkatërrimit ekonomik është korrupsioni i qeverisë Berisha-Meta.
Ahmetaj tha se “shqiptarët nuk mund të hanë shifrat e mashtrimit, ata të gjithë e dinë se me papunësinë, me mungesën e zhvillimit, me humbjen e standardeve të jetesës, varfërimin e tyre janë duke paguar faturën e korrupsionit të pushtetit PD-LSI”. Deputeti tha në fund se Partia Socialiste mbetet tejet e vëmendshme ndaj këtyre problemeve dhe do t’i korrigjojë gjatë qeverisjes së saj.
#