E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna në familje, bum procesesh në gjykatë

Në 777 seancat e periudhës janar-korrik, femrat, por edhe në disa raste burrat e të moshuarit, kërkuan mbrojtje ligjore nga shteti

Plot 777 seanca janë zhvilluar në Gjykatën e Tiranës nga janari deri në korrik, pas kërkesave për urdhra mbrojtjeje, duke bërë që dhuna të jetë prezente në familjet shqiptare. Vetëm në muajin korrik u dhanë 50 vendime nga togat e zeza, ku në 85 për qind të rasteve ato janë pranuar dhe është urdhëruar marrja në mbrojtje e të ankuarve. Edhe për muajin gusht këto procese vazhdojnë të jenë në kalendarin e gjykimit dhe rreth 10 prej tyre presin verdiktin e gjyqtarëve.

Pjesa dërrmuese e kërkesave bëhen nga femrat, por nuk mungojnë rastet, edhe pse të pakta, ku burrat dhe të moshuarit i drejtohen gjykatës për “ndihmë”. Në paditë e tyre femrat kërkojnë mbrojtje ligjore nga shteti, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë me bashkëshortët apo me anëtarët e tjerë të familjes. Shifrat do të ishin edhe më të larta nëse shumë femra nuk do të duronin dhunën e ushtruar nga bashkëshortët e tyre për vite të tëra, pra nuk do të heshtnin të frikësuara nga divorcet dhe pamundësisë ekonomike për ta përballuar jetesën të vetme. Megjithatë, edhe kaq sa janë, rastet e denoncimeve dhe kërkesave për mbrojtje flasin qartë se fenomeni i dhunës në familje vazhdon të mbetet shqetësues për kryeqytetin.

Duke iu referuar shifrave, që nga 1 janari e deri më 31 korrik, Policia e Tiranës ka plotësuar dhe ka dërguar në Gjykatën e Tiranës plot 777 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes. Këto janë proceset e zhvilluara, por numri do të ishte edhe më i lartë nëse një pjesë e denoncuesve nuk do tërhiqeshin në momentin kur çështja ka shkuar në gjykatë. Po sipas statistikave, 700 urdhra mbrojtje janë lëshuar për femrat që janë dhunuar nga bashkëshortët e tyre, ndërsa pjesa tjetër u takon të moshuarve, të cilët kërkojnë mbrojtje. Statistikat tregojnë se ky numër denoncimesh është më i lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, në të cilën shënoheshin rreth 600 kërkesa për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes. Sipas të dhënave mësohet se femrat e dhunuara që u drejtohen gjykatave për të kërkuar mbrojtje janë kryesisht rreth moshës 30-45 vjeçe. Në shumicën e rasteve familjet vijnë nga zonat rurale dhe fatet tregojnë se kanë edhe nivel të ulët arsimimi.

Procedura që ndiqet për urdhër-mbrojtjen nis me denoncimin në komisariatin e policisë, ku regjistrohet kallëzimi i bërë nga të dhunuarit dhe më pas përpilohet nga uniformat blu një kërkesë-padi për lëshimin e urdhër-mbrojtjes, që dërgohet në gjykatë. Jo të gjitha kërkesat përfundojnë në tavolinën e togave të zeza. Një pjesë e denoncueseve pendohen dhe e tërheqin atë, duke u shprehur se janë penduar dhe se dhunuesi ka ndryshuar menjëherë sapo kanë paraqitur padinë. Nuk mungojnë edhe rastet kur pendesa ka ardhur si rezultat i kërcënimeve që është bërë mbi denoncuesit nga autorët e dhunës. Përvoja ka treguar se në disa raste, edhe pse gratë e dhunuara marrin guximin t’u drejtohen komisariateve të policisë për të kërkuar nga ata marrjen në mbrojtje, në momentin kur çështja mbërrin në gjykatë, ato tërhiqen nga pretendimet e para, duke e detyruar gjykatën që ta pushojë çështjen. Sipas të dhënave, gati gjysma e kërkesë-padive, të mbërritura nga policia në dyert e togave të zeza, pushohen pasi paditëset nuk paraqiten në procese.

Shoqatat e mbrojtjes së grave kanë deklaruar se disa prej të dhunuarave tremben nga reagimi i bashkëshortëve të tyre dhe zgjedhin me “dëshirë” pushimin e padisë. Edhe pse mbeten të pazbuluara, nuk mungojnë rastet kur personat e paditur ushtrojnë presion mbi gratë, duke i detyruar ato që të heshtin dhe të kërkojnë pushimin e padisë së ngritur prej tyre.

Duke iu referuar procedurës, gjykatat, në momentin e pranimit të kërkesë-padisë lëshon një sërë urdhrash ndaj të paditurit. Në vendim thuhet se i padituri nuk duhet të kryejë vepër të dhunës në familje ndaj paditëses. Ai urdhërohet të mos kërcënojë, ngacmojë, apo të kontaktojë më me paditësen, apo të mos i afrohet asaj deri në distancën 300 m. I padituri ndalohet të hyjë apo të qëndrojë në banesën e paditëses dhe se shkelja e urdhrit përbën vepër penale dhe dënohet nga gjobë deri në 2 vjet burg. Në përfundim të procesit, një kopje e urdhër-mbrojtjes i dërgohet Zyrës së Shërbimeve Sociale pranë njësisë bashkiake dhe kopja tjetër i dërgohet komisariatit të policisë nga ka ardhur kërkesë-padia.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›