E Diel, 1 Nëntor 2026

Athina mobilizon ushtrinë për të rikthyer në punë shifrat

Greqi Ata heqin dorë nga greva, nga frika e arrestimeve dhe heqjes së licencës.

Shoferët e kamionëve të Greqisë i kanë dhënë fund dje një greve që ka paralizuar vendin, që i shkaktoi shumë probleme, vonesa dhe zvarritje industrisë së Greqisë dhe stresoi jashtë mase ata turistë që, pavarësisht të gjithave, kishin vendosur që t’i kalonin pushimet në vendin e bukur. Por ndërprerja e grevës, që kishte më se një javë që po zgjaste, u bë pas ndërhyrjes së qeverisë dhe mobilizimit nga ana e saj të ushtrisë, që bëri furnizimet me karburant. Shoferët refuzuan që të tërhiqeshin pas mobilizimit të ushtrisë, që mori urdhër nga qeveria të mërkurën dhe u përleshën me forcat në uniformë përballë godinës së Ministrisë së Transporteve tri ditë më parë, por pas shumë debatesh vendosën dje që të riktheheshin në punë. “Ky është një vendim i pakëndshëm …por vendi nuk mund të përballojë dot aventura të gjata në mesin e verës”, ka deklaruar Kryeministri i vendit, pas vendimit të qeverisë për të thirrur ushtrinë për të furnizuar me benzinë aeroportet dhe stacionet e shërbimit. Që nga rikthimi i demokracisë në vend, në vitin 1974, është hera e katërt që ushtria mobilizohet për të kryer shërbimeve masive. Normalisht ajo vihet në punë vetëm në kundërpërgjigje të fatkeqësive natyrore, në kohë lufte, apo në protesta të mëdha civile. “Duke marrë në konsideratë problemet që janë krijuar nga mosfurnizimi i tregjeve me lëndë djegëse dhe të tjera mallra për shkak të grevës së shoferëve të kamionëve dhe me një ndjenjë të lartë përgjegjshmërie, ne kemi vendosur që të ndërpresim grevën dhe kjo pas një vote në pakicë”, deklaruan përfaqësuesit e Asamblesë së Përgjithshme të Federatës së Shoferëve të Kamionëve. Vetëm në Athinë, gjatë këtyre ditëve, 95% e stacioneve të karburanteve kanë qenë pa naftë dhe lëndë të tjera djegëse dhe një situatë e tillë shtrëngese ishte edhe në Selanik. Mijëra turistë kanë vonuar dhe zvarritur pushimet për shkak të situatës së rëndë dhe një pjesë e madhe i kanë anuluar pushimet në Greqi, duke i shkaktuar një dëm të madh ekonomisë së brishtë të vendit, që ndërkohë vazhdon që të jetë në një situatë të lëkundur dhe të paqëndrueshme dhe ka nevojë për të ardhurat e turizmit që përbëjnë një përqindje të lartë të Prodhimit Kombëtar Bruto. Greva e shoferëve të kamionëve iu bashkua asaj të shumë punonjësve të trafikut ajror ditë më parë, që sollën sërish probleme për sa i përket turizmit. Mobilizimi i ushtrisë erdhi pasi shoferët e injoruan dekretin e emergjencës, që i urdhëronte që të ktheheshin në punë dhe vendosi ligjin ushtarak në sektor. Shoferët patën frikë se mos nisnin arrestimet, mos humbisnin licencat dhe mos kalonin pesë vjet në burg sipas ligjit, por refuzuan që të dorëzoheshin dhe të hiqnin dorë nga kërkesat tyre. Këtë e tregoi edhe tentativa e rreth 500 shoferëve që u përpoqën të futeshin me forcë në Ministrinë e Transporteve dhe në këtë rast, u përleshën edhe me forcat e policisë, që i ndaluan.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›