BSH: Kanë rënë investimet dhe kreditimi
Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se në muajin qershor, kredia për ekonominë jo vetëm që nuk u rrit, por pati rënie të lehtë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të qershorit, kredia totale për ekonominë ishte 457.6 miliardë lekë, ose 200 milionë lekë më pak se një muaj më parë.
Krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar, kredia është rritur për gjysmën e parë të vitit në total me vetëm 3.8 për qind.
Këto të dhëna janë publikuar në fillim të kësaj jave, ndërsa situata është komentuar më parë edhe nga guvernatori i BSH-së.
“Investimet private vlerësohen në rënie në pjesën e parë të vitit, por janë më të mëdha se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Kurse kushtet e shtrënguara të aplikuara nga bankat kanë dekurajuar kërkesën për kredi”, deklaroi Fullani.
Ata të cilët e kanë më të vështirë të marrin një kredi në bankë janë individët. Bankat, që prej më shumë se një viti, thuajse e kanë stopuar fare kredinë për individët.
Sipas të dhënave, krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, kredia për individët është rritur me vetëm 0.6 për qind, një tregues ky që, sipas vetë bankës, dëshmon për rënie të konsumit në ekonomi.
Studime të Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitet e fundit, kredia ka qenë një nga nxitësit kryesorë të ekonomisë, duke kontribuar mesatarisht me 1.5 për qind në normën vjetore të rritjes ekonomike.
Banka e Shqipërisë uli javën e kaluar normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, duke e çuar këtë normë në 5 për qind, që është niveli më i ulët që nga 2005-a.
Kjo u reklamua nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, si masë për rritjen e kreditimit, ndërsa specialistët sqaruan se kjo bëhej edhe për të ulur koston e borxhit të qeverisë.
Por, organizatat e biznesit janë pesimiste për arritjen e qëllimit të kësaj manovre të Bankës Qendrore. Sipas Konfindustrias, ulja e normës bazë të interesit është një veprim pozitiv dhe u bë në kohë të përshtatshme për të ruajtur monedhën vendase, por kjo masë është e pamjaftueshme për të nxitur kreditimin.
Sipas organizatave të biznesit, bankat e nivelit të dytë në Shqipëri paraqesin situatën e një oligopoli dhe për këtë arsye kreditimi është në nivele tepër të ulëta.
Të dhënat e fundit mbi kreditimin u japin të drejtë bizneseve, por do të jenë raportet e mëvonshme ato që do të tregojnë qartë nëse masat e fundit të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për të nxitur kreditimin kanë qenë të suksesshme.
#