E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmeti- Gruevski, finalizojnë negociatat për qeverinë e re

Mandatari për formimin e qeverisë, Nikolla Gruevski dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, kanë përfunduar negociatat për formimin e koalicionit qeveritar. Burime pranë BDI-së theksuan se negociatat janë mbyllur dhe se gjatë dy ditëve, do të dorëzohet përbërja e re qeveritare dhe programi i qeverisë tek Parlamenti.
 

Nga BDI, nuk bëjnë të ditur se cilat drejtori do ti takojnë, por burime jozyrtare theksojnë se kësaj partie, do ti takoj Ndërmarrja "Rrugët e Maqedonisë", Drejtoria e Fondit Shëndetësor si dhe Policia Pyjore. Ndërsa, Drejtoritë e MPB-së, Doganat dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike do ti takojë VMRO-DPMNE, edhe përkundër pohimeve pranë partisë shqiptare se disa nga këto drejtori do të udhëhiqen nga kuadro të saj.
 

Nga marrëveshja politike është arritur marrëveshje për zgjidhjen e statusit të UÇK-së, mbylljen e rasteve të Hagës, por edhe sigurimi i dëmshpërblimeve për të shpërngulurit maqedonas dhe serb nga zonat e krizës të vitit 2001.
 

Gjuha shqipe nuk do të jetë gjuhë e dytë zyrtare në tërë vendin, por ajo do të ketë një përdorim më të gjërë të rregulluar me propozim plotësues. Partnerët e koalicionit, kanë rrënë në marrëveshje edhe për precizimin e ligjit për përdorimin e simboleve kombëtare, pas anulimit të këtij ligji nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Sipas këtij ligji, përdorimi i simboleve është i lejuar në komunat me popullsi shqiptare prej mbi 50%.
 

Disa nga pikat e marrëveshjes në formë të propozim-ligjeve dhe në formën e plotësimit të ligjeve do të dërgohen në Parlament për tu miratuar gjatë dy ditëve të ardhshme. BDI në qeverinë e re do të përfaqësohet me dy zëvendëskryeministra dhe me ministrat e Mbrojtjes, Ekonomisë, Drejtësisë, Ambientit Jetësor dhe Pushtetit Lokal.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›