Ahmeti: Dosjet, përralla e shpifje
Në një takim me banorët e Studençanit, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka folur sërish për çështjen e dosjeve.
Ahmeti kërkoi nga shqiptarët që të mos brengosen nga publikimi i dosjeve, ngase ato janë të fabrikuara.
“Unë do t’ju kisha lutur të gjithëve të mos brengoseni. Mos u shqetësoni, sepse askush nuk beson në përralla e shpifje të tilla.
Besoni, vëllezërit e mi, se as ata që i shpërndajnë nuk iu besojnë këtyre punëve, por përpiqen të bëjnë si ai rrenaxhia që në krye të pazarit e shpik rrenën, e që kur del në fund të pazarit i beson rrenës së tij, dhe pastaj pyet se a është e vërtetë. Po të kishte qenë krijesë e UDB’së, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Ushtria Çlirimtare Kombëtare, dhe po ta kishte krijuar UDB’ja UÇK’në dhe Lëvizjen Kombëtare, nuk do bëhej pavarësia e Kosovës. Po ta kishte bërë UDB’ja UÇK’në, nuk do bëhej dhe s’do të ndryshonte as statusi e as kushtetuta e Maqedonisë”, deklaroi Ahmeti.
Si rrjedhojë, dosjeve të tilla, siç tha, nuk duhet t’iu besojë askush.
“Po kush është ai që vret vetveten? Po a ka logjikë në këtë punë ta hajë dreqi ta hajë? Po a është dashur ta mendojnë, meqë burra aq të mençur paskan qenë? Merreni me mend se kush i ka drejtuar shqiptarët para dhjetë vitesh. Po kur të bësh një rrenë, bëje bile ashtu që t’i besohet të paktën dy-tre ditë, e jo që gjërat të dalin menjëherë në sipërfaqe”, përfundoi ai. (INA)