Të gjithë donë të bëhen hungarezë
Nga Konsullata e Përgjithshme e Hungarisë në Suboticë hungarezët e Serbisë kërkojnë, mesatarisht, nga 300 pasaporta në ditë. Deri tani janë pranuar 8,000 kërkesa, e termine të lira s’ka deri në maj.
Arsyeja kryesore për ngadalshmërinë e përpunimit të kërkesave për nënshtetësi të dyfishtë është fakti që zyrtarët e Konsullatës mund të përpunojnë vetëm afro njëqind kërkesa në ditë.
Lideri i Partisë Demokratike të Hungarezëve të Vojvodinës, Andras Agoshton, thotë se shkaku kryesor i interesimit kaq të madh për përfitimin e nënshtetësisë së dyfishtë është pasaporta hungareze.
"Qëllimi kryesor i hungarezëve të Vojvodinës është marrja e pasaportës hungareze. Meqë Hungaria është anëtare e BE’së, posedimi i pasaportës së saj sjell shanse të mëdha për hungarezët vojvodinas që të punësohen përkohësisht nëpër vendet e Evropës, e në veçanti në Gjermani dhe Angli, ku synojnë të shkojnë shumica e tyre”, tha Agoshton për mediat lokale në Suboticë.
Disa parti politike të pakicës hungareze në Vojvodinë vlerësojnë se pasaporta hungareze do të mund të kërkojnë rreth 80,000 hungarezë që jetojnë në Vojvodinë, duke përfituar kështu nënshtetësi të dyfishtë.