Frika nga ardhmëria

Nëna e re e tre fëmijëve i thotë lamtumirë fqinjëve të saj në momentin kur ata përgatiten për t’u larguar nga Kartumi, ku kanë jetuar për vite me radhë, për t’u kthyer në vendlindjen e tyre në Sudanin e Jugut, ku duket se po realizohet ëndrra për pavarësi e banorëve të këtij rajoni. Por, Ajak Majak nuk do t’i bashkohet gëzimit-ajo do të qëndrojë.
Majak, 27 vjeçare, thotë se për momentin nuk mund të largohet nga veriu. Fëmijët e saj janë në shkollë dhe ajo e ka një punë të mirë. Në ndërkohë, ajo i frikësohet sulmeve të sudanezëve nga veriu, të hidhëruar për shkak të shkëputjes së pritur të jugut.
Ajo është mbyllur në shtëpinë e saj për të pritur përfundimin e referendumit njëjavor për pavarësi, i cili filloi të dielën në jug dhe për t’u mbrojtur nga sulmet e mundshme të sudanezëve nga veriu.
“Vërtet jam e frikësuar. Pas ditës së dytë dhe të tretë të votimit, nëse situata përmirësohet, mund të dal jashtë. Nëse jo, do të qëndroj brenda”, thotë ajo.
Statusi i rreth 1.5 deri 2 milionë jugorëve, të cilët jetojnë në veri të Sudanit, është një nga pikat kryesore të cilat duhet të zgjidhen në negociatat mes veriut dhe jugut, nëse Sudani i Jugut, ashtu siç pritet, voton për pavarësi në referendum.
Me dhjetëra mijëra jugorë, të cilët mbesin në veri-pa marrë parasysh se për një periudhë afatshkurtër apo afatgjate-janë tejet të shqetësuar. Zyrtarët veriorë kanë theksuar se nëse jugu bëhet shteti më i ri në Afrikë, jugorëve që mbesin në veri do t’iu merret nënshtetësia dhe do të dëbohen nga vendet e punës. Jugorët frikësohen se mund të vihen në shënjestër të veriorëve të hidhëruar.
Jugorët kanë arritur gjatë dekadave të kaluara, duke u arratisur nga lufta qytetare mes veriut mysliman dhe jugut të krishterë, luftë kjo e cila u kushtoi me jetë 2 milionë njerëzve.
Refugjatët mbushën lagjet e varfra, të cilat u ngritën në shkretëtirën përreth kryeqytetit dhe në qytetet tjera veriore. Lagjja e Majakut u pagëzua me emrin Jabarouna, fjala arabe për “na kanë detyruar”. Me kalimin e viteve, jugorët u bënë pjesë e fabrikës sociale të veriut-jetë kjo mjaft e vështirë, pasi që janë përballur me diskriminim e nganjëherë edhe me dhunë dhe u është dashur t’i nënshtrohen traditave islamike.
Shumë prej tyre tani janë të ngazëllyer nga fakti se mund të kenë shtetin e tyre dhe po kthehen në shtëpi. Agjencia për refugjatë e OKB-së ka theksuar se 120 mijë jugorë janë kthyer para fillimit të referendumit.
Fqinja e Majakut, Angelina Aliel, 55 vjet, dëshiron të kthehet. Gjatë qëndrimit të saj 27 vjeçar në veri, Aliel thotë se një nga djemtë e saj është therur për vdekje nga një turmë e arabëve të hidhëruar.
“Është koha për t’u kthyer në shtëpi”, thotë ajo.
Por, ajo tani përballet me një problem tjetër. Aliel është larguar nga shtëpia e saj para nëntë ditëve dhe që nga ajo ditë është duke pritur për të hipur në ndonjë autobus, që udhëton drejt jugut. Vëzhguesit ndërkombëtarë të referendumit kanë theksuar se riatdhesimi është organizuar me nguti nga qeveria e jugut dhe se shumë njerëz, si Aliel, tani kanë mbetur të ngujuar.
“Ata kanë shitur shtëpitë e tyre, kanë mbetur të ngujuar nën diell. Ekziston frika për atë se çfarë do të ndodhë me ta pas përfundimit të votimit. Çfarë sigurie kanë ata”, thotë Charles Kariuki, një vëzhgues nga Kenia.
Majak thotë se në fund dëshiron të kthehet në jug, por jo përderisa fëmijët e saj të mos e kryejnë shkollën, së paku edhe këtë vit.
Për aq kohë sa të qëndrojë, ajo frikësohet se fëmijët e saj do të përballen me dhunë. “Do të ketë shumë probleme. Do të frikësohem për ta. Nuk ka siguri”, thotë Majak.
Veriorët dhe jugorët janë përleshur edhe në të kaluarën. Në vitin 2005, pas vdekjes së udhëheqësit të jugut, John Garang, pas rrëzimit të aeroplanit të tij, jugorët në veri protestuan pasi që dyshonin se bëhej fjalë për vrasje. Protesta nxiti përleshje etnike, si pasojë e të cilave humbën jetën 50 persona.
Ati John Denghi, prift në kishën katolike të Kartumit, theksoi se kisha e tij është duke u furnizuar me qëllim që të jetë e gatshme nëse shpërthen dhuna dhe njerëzit kërkojnë strehim aty.
Shqetësimin po e shtojnë edhe më shumë premtimet e presidentit Omar Al Bashir, i cili ka theksuar se do ta forcojë zbatimin e ligjit islamik, nëse jugu shkëputet. Denghi frikësohet se krishterët mund të vihen në shënjestër dhe të konfiskohen pronat e kishës.
Por, qeveria dhe zyrtarët e partisë në pushtet theksojnë se frika është e pabazë. Ata thonë se jugorët e punësuar nga qeveria do të largohen nga puna, nëse jugu ndahet.
Në anën tjetër, shumë veriorë nuk pajtohen me faktin se mund të humbin një pjesë të madhe të territorit.
“Po na heqin një pjesë të trupit tonë. Thjeshtë nuk mund ta paramendoj këtë ndarje. Politikanët po tentojnë të na përgatisin, por unë jam i shqetësuar. Për ne, Sudani edhe më tutje mbetet një shtet”, thotë studenti 22 vjeçar, Mohamed Al Hafez. (AP)