E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmeti: Largimi i BDI-së nga qeveria, i dëmshëm për Maqedoninë

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim ose BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi të shtunën se largimi i BDI-së nga qeveria është i dëmshëm për Maqedoninë.
Ai ka mohuar mundësinë për largimin nga Qeveria, nëse edhe deri në qershor nuk zgjidhet çështja e emrit kushtetues.
"Për BDI-në është e lehtë ta braktisë Qeverinë, por kjo nuk mendoj se do të ishte zgjidhja më e mirë për Maqedoninë. Duam të jemi të dobishëm dhe çdo ditë së bashku me partnerët tanë ndërkombëtar të punojmë, që sa më shpejtë të zgjidhet çështja e emrit, që do të mundësonte vazhdimin e rrugës së eurointegrimeve", theksoi Ahmeti.
Ai tha se koalicioni qeverisës po funksionon sipas marrëveshjes paraprake, edhe pse nuk mohoi se ka dallimet për çështje të caktuara. "Nuk ka largim nga përcaktimet tona për bashkëqeverisje. Sigurisht që dallime për çështje të caktuara mund të ketë, kurse parimet kryesore për koalicion sigurisht që respektohen nga të dyja palët", theksoi Ahmeti.
Lideri i BDI gjithashtu ka theksuar se ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme dhe të dobishme për Maqedoninë. " Ndryshimet kushtetuese duhet të jenë në frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe kërkesat e BDI-së mendoj se janë shumë të arsyeshme dhe shumë të logjikshme dhe forcojnë besueshmërinë te fryma që buron nga marrëveshja e Ohrit", theksoi Ahmeti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›