E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmeti dhe Gruevski pa kompromis për drejtori

SHKUP- Negociatat për formimin e Qeverisë midis VMRO-DPMNE dhe BDI janë bllokuar përkohësisht për shkak të mungesës së kompromisit për ndarjen e drejtorive.

Mediat vendase bëjnë me dije se VMRO-DPMNE nuk dëshiron që t’i jap BDI-së Drejtorinë e Sigurimit Publik, si edhe Drejtorinë e të Ardhurave Publike apo  Drejtorinë e Doganave.

VMRO-DPMNE kërkon që kuadrot shqiptare të jenë në poste më të favorshme në sektore dhe nivele tjera të MPB-së, por nuk dëshiron të lëshojë kryesimin e këtyre drejtorive.

Dy partitë pritet që të dielën të zgjidhin ngërcin dhe të gjejnë ndonjë kompromis për të kompletuar marrëveshjen e koalicionit, që parimisht është arritur midis dy partive dhe po udhëhiqen negociatat midis grupeve negociatore partiake.

VMRO-DPMNE deri tani nuk pranon ofertën e BDI-së që të nënshkruhet marrëveshje prioritare për zgjidhjen e kërkesave, një marrëveshje e stilit të asaj të majit të vitit 2007 të arritur mes BDI dhe VMRO, ku zotohej kryerja e disa detyrimeve nga ana e VMRO-DPMNE, e cila kishte në koalicion PDSH-në.

Marrëveshja e BDI-së përfshin mbylljen e rasteve të Hagës përmes interpretimit të Ligjit për amnisti nga ana e Parlamentit, zgjidhja e statusit të UÇK-së, fonde të barabarta zhvillimore dhe investime për zonat shqiptare si dhe projekte tjera.

Gjatë kësaj fundjave pritet të përfundojnë negociatat, ndërsa krerët e BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së, Ali Ahmeti dhe Nikolla Gruevski pritet ti japin dritë jeshile ndonjë marrëveshje të mundshme që do të arrihet midis dyja palëve.
(e.m/ina/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›