E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahtisaari: Mosnjohja e Kosovës, vështirëson rrugën e integrimit

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit në Nju Jork, është takuar me ish-ndërmjetësin e OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaarin. Në fjalën e tij, Ahtisaari tha se mosnjohja e Kosovës nga 5 vende të BE-së e ka vështirësuar rrugën e saj dhe theksoi se BE-ja duhet të dërgojë porosi të qarta për gjithë rajonin dhe për Kosovën në veçanti për proceset integruese.

Ai tha se duhet të qartësohen të gjitha pengesat që po i bëhen Kosovës që ajo të vazhdojë zhvillimin e saj në të gjitha fushat. Ndërkohë nga ana e saj, presidentja e Kosovës, tha se Plani Ahtisaari ka ofruar mundësi të mëdha për komunitetin serb dhe theksoi rëndësinë e shtrirjes së tij edhe në pjesën veriore të Kosovës, me qëllim të integrimit të plotë të komunitetit serb që jeton atje.
 

“Shpërbërja e strukturave ilegale serbe në veri do të mundësonte edhe zhvillimin ekonomik për këtë pjesë të Kosovës dhe komunikimin më të lirë dhe të drejtpërdrejtë të qytetarëve serbë në veri me institucionet e Kosovës”, tha Jahjaga gjatë takimit me Ahtisaarin. Po ashtu, ajo ka deklaruar se dialogu me Serbinë, që po zhvillohet me ndihmën dhe ndërmjetësimin e BE-së, është mënyra më e mirë e zgjidhjes së çështjeve të hapura, por theksoi se ndarja ose shkëmbimi i territoreve janë të papranueshme, duke ritheksuar se Kosova është shtet sovran dhe pavarësia e saj është e pakthyeshme dhe e njohur ndërkombëtarisht.
 

Gjithashtu, Jahjaga theksoi se Kosova ka nevojë për ndihmë të vazhdueshme nga miqtë e saj për të ndihmuar në ngritjen e imazhit të saj dhe për lobim dhe njoftoi ish-Presidentin Ahtisaari për idenë e krijimit të grupit “Miqtë e Kosovës”, në të cilin përfshihet edhe vetë zotëri Ahtisaari.
 

Ndërkaq, nga ana e tij, ish-presidenti finlandez Ahtisaari e përgëzoi Presidenten për punën e saj dhe vlerësoi të arriturat e Kosovës në kohët e fundit. Ai tha se është i gatshëm që të ndihmojë Kosovën në përpjekjet e saj në skenën ndërkombëtare por theksoi se është i shqetësuar me procesin e ngadalshëm të njohjeve të pavarësisë së saj.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›