E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stefanoviç: Problemi i Kosovës, ose me dhunë ose me bisedime

Shefi i ekipit negociator të Serbisë në dialogun me Kosovën, Borisllav Stefanoviç, ka deklaruar se Beogradi ka planin për zgjidhjen e problemit të Kosovës, por Brukseli ende nuk është përgjigjur ndaj këtij plani.
 

Stefanoviç ka paralajmëruar se problemi i Kosovës mund të zgjidhet në dy mënyra. “Që dikush të përdorë dhunën ose të ulen dhe të bisedojnë. Mënyra e parë është më e keqja, pasi nënkupton viktima në njerëz nga të dyja palët dhe pamundëson paqen afatgjate në gjithë rajonin. Ne jemi Qeveria e parë e Serbisë, e cila ka nisur bisedimet me shqiptarët, pasi që bisedimet në Rambuje dhe Vjenë, nën ombrellën e Marti Ahtisarit, vështirë se mund të quhen të tilla”, ka thënë ai.
 

Serbia i ka dorëzuar të premten e kaluar Bashkimit Evropian propozimin për “zgjidhjen e problemit” të pikave kufitare Bërnjak dhe Jarinje, i cili parashikon që policët dhe doganierët e Kosovës të mos jenë të pranishëm në këto dy vendkalime kufitare. Pas dorëzimit të këtij plani, Stefanoviç deklaroi se nevojitet një status i veçantë për Bërnjakun dhe Jarinjën në kuptimin etnik, të sigurisë, ekonomisë dhe strategjisë.

Të premten e kaluar, në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri janë vendosur doganierët dhe policët e Kosovës, të cilët atje janë dërguar me helikopterë të KFOR-it, pasi që serbët kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt këtyre dy pikave kufitare.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›