E Diel, 1 Nëntor 2026

Ai që ndali Eto, Berisha drejt një klubi të madh

SUEDI- Portieri kosovar, Etrit Berisha, ka mbetur i pamposhtur edhe pas ndeshjes së tij të katërt me Kombëtaren e Shqipërisë. Por, në ndryshim nga tri ndeshjet e para, kur nuk u ballafaqua me emra të mëdhenj, në të katërtën ai kishte përballë një sulmues të kalibrit ndërkombëtar: Samuel Eto! Berisha të mërkurën mbrëma ruajti për 90 minuta portën e Shqipërisë, që barazoi pa gola me Kamerunin në miqësoren e luajtur në Gjenevë të Zvicrës. Sulmi i Kamerunit udhëhiqej nga futbollisti më i paguar në botë, ish-lojtari i Barcelonës dhe i Interit, Samuel Eto. Portieri shqiptar rrëfen lumturinë që ka dalë fitimtar në sfidën me lojtarin, përkrah të cilit kishte ëndërruar që të luante. "Në kohën kur Eto luante për Barcelonën, ëndërroja që të luaja me të në një ekip. Rastin e kisha që të luaja në një fushë me Samu, por si kundërshtar i tij. Kjo natyrisht se më nderon. Edhe më i lumtur jam, që dola fitimtar ndaj tij. Arrita që së bashku me skuadrën të ruajmë të paprekur portën dhe kjo për mua si portier është fitore. Edhe në një situatë kur Eto doli përballë meje prita gjuajtjen e tij", ka thënë Berisha të enjten për gazetën "Koha Ditore" në Prishtinë. 

KOMBËTARJA 
Portieri ka debutuar për Shqipërinë në fund të majit në miqësoren e fituar kundër Iranit me rezultatin 1-0. Më pas luajti edhe në miqësoren pa gola me Moldavinë dhe në ndeshjen eliminatore kundër Sllovenisë (1- 0), duke treguar një siguri që i habiti të gjithë, aq më tepër kur pozitat ishin lëkundur së tepërmi për shkak të disa gabimeve që i kushtuan jo pak përfaqësueses kuqezi. Berisha 23- vjeçar shpreson që do ruajë portën e kombëtares edhe në ndeshjet e ardhshme. "Kam një motiv jashtëzakonisht të madh për ndeshjet me kombëtaren, - shprehet portieri i Shqipërisë. - Çdo ndeshje e marr si vendimtare dhe natyrisht gëzohem kur së bashku me mbrojtjen ia dalim të mos pranojmë gol. Nga reparti i mbrojtjes kam ndihmë shumë të madhe, ndërsa shpresoj se do të konsolidohemi edhe më shumë në të ardhmen si ekip kombëtar", deklaron ai. 

MERKATO 
Etrit Berisha në fillim të vitit 2008 kaloi në Kalmar të Suedisë nga 2 Korriku i Prishtinës. Llogaritet ndër portierët më të mirë në Suedi. Por, jo edhe për shumë kohë. Ai pret që në afatin kalimtar të janarit të largohet nga Kalmari për t'u transferuar në Serinë A të Italisë apo në Premier Ligën e Anglisë. Tashmë ai është duke negociuar për largim nga Kalmari. "Është thuajse e sigurt se nuk do të jem më pjesë e Kalmarit. Ligë interesante për mua është ajo e Anglisë, por duhet të shikohet nëse ka mundësi që të luaj atje me pasaportë të Shqipërisë", ka thënë ish-gardiani i përfaqësueses së Kosovës. Berisha, gjatë qëndrimit në Zvicër me ekipin kombëtar është takuar me menaxherin e njohur italian, Claudio Vigorelli, që përfaqëson lojtarë të njohur botërorë. "Jam takuar me Claudio Vigorellin. Ai më ka thënë se janë disa skuadra të interesuara në Serinë A, por më ka kërkuar që t'i jap pak kohë. Ka mbetur që ai të kontaktojë me skuadra dhe të më japë një lajm. Besoj se çështja e transferimit nuk do të marrë shumë kohë", ka shtuar Etrit Berisha.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›