E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndaj të kuqve të kryeqytetit, Naftëtari e gjen shpresën te tradita

Nga ARBEN ÇEPANI Barazimi me Kamzën në stadiumin Tomori, edhe pse zhgënjyes, nuk i ka demoralizuar aspak futbollistët kuçovarë, të cilët janë përqendruar tashmë te përballja me Partizanin në transfertë. Në përgjithësi atmosfera në kampin kuçovar përpara ndeshjes me Partizanin është e qetë, ku shpresohet të paktën për një barazim. Tradicionalisht ballafaqimet ndaj të kuqve, për kuçovarët kanë qenë interesante, ku nuk kanë munguar surprizat. Të dy ekipet kanë rivalizuar gjatë në sezonin e kaluar teksa ishin pjesë e kategorisë së dytë. Rivaliteti është pasqyruar dhe në ndeshjet direkte, të cilat kanë përfunduar me barazim pa gola 0-0. Ndërkohë në kampionatin aktual diferencat ndërmjet dy ekipeve janë të mëdha. Partizani pretendon ngjitjen në superligë, ndërsa Naftëtari qëndrimin në kategorinë e parë. Pavarësisht renditjes, Naftëtari shpreson  se do ta respektojnë traditën ndaj Partizanit, duke besuar  në një rezultat pozitiv, ndonëse luajnë në transfertë. Kapiteni kuçovar, Ardian Gega, është i bindur se ndaj Partizanit skuadra bardhezi do të bëjë një paraqitje dinjitoze, e shoqëruar me rezultatin pozitiv. ”Do të jetë e vështirë – pohon kapiteni kuçovar Ardian Gega- por jo e pamundur. Partizani ngelet një emër i madh, ku ndaj tyre ne gjithmonë kemi bërë paraqitje të mira. Shpresojmë të vazhdojmë traditën e brezave të dikurshëm, të cilët e sfidonin Partizanin edhe në kryeqytet. Realisht nuk jemi në një pozicion të mirë, por besoj se i kemi të gjitha mundësitë për të përballuar me sukses Parizanin. Do të kërkojmë padyshim surprizën në kryeqytet, ku duhet të kemi dhe mbështetjen e sportdashësve kuçovarë”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›